RUSI - Mirlind Daku është shumë pranë një transferimi te Zenit Saint Petersburg. Sulmuesi i kombëtares shqiptare pritet të ndërrojë skuadër gjatë këtij afati kalimtar veror, por jo kampionat, pasi do të vijojë të luajë në elitën e futbollit rus.
Klubi rus i Zenit St. Petersburg ka bërë një ofertë prej 4.5 milionë eurosh, të cilën Rubin Kazan është gati ta pranojë, duke hapur rrugën për një nga transferimet më të rëndësishme të një lojtari shqiptar këtë verë.
Daku ka pasur një sezon mbresëlënës në Premier Ligën ruse, ku u rendit si golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit (15 gola dhe 8 asistime), duke tërhequr interesin e disa klubeve të njohura, por Zenit ka vepruar më konkretisht dhe është pranë finalizimit të marrëveshjes.
Nëse nuk do të ketë ndonjë pengesë në minutat e fundit, Daku do t’i nënshtrohet testeve mjekësore të dielën, për të zyrtarizuar kalimin te nënkampionët e Rusisë. Kujtojmë se Zenit ka si sponsor gjigantët e naftës, Gazprom.
Ky transferim përfaqëson një hap të madh në karrierën e 26-vjeçarit, i cili synon të përforcojë edhe më shumë pozitën e tij në kombëtaren shqiptare.
Komente
