Mesfushori i Real Madrid, Luka Modriç duket se ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Ai vijon të mbetet protagonist i ‘galaktikëve’ dhe kjo u pa edhe në fundjavën që shkoi ku shënoi golin e fitores ndaj Sevillës.
Futbollistit kroat i skadon kontrata me “Los Blancos” në qershor të këtij viti dhe duket se ai po mendon të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Trajneri Carlo Ancelotti së fundmi u shpreh se e ardhmja është në duart e futbollistit, por që, nëse dëshiron të qëndrojë, duhet ta pranojë edhe rolin e zëvendësuesit.
Modric do t’i mbushë 39 vjet në muajin shtator dhe për të është koha për të lëvizur.
Spekulohet se nënkampioni i botës me Kroacinë mund të përfundojë në njërin prej klubeve të pasura të Arabisë Saudite për t’i zhvilluar sezonet e fundit të karrierës, por gjithashtu përmendet edhe liga MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot media turke “Fotomac” raporton se në garë për ish-futbollistin e Tottenhamit janë futur edhe dy gjigantët turq, Galatasaray e Fenerbahçe.