Romanin “Gjiganti i fjetur” (The Buried Giant, titulli në origjinal) që shkrimtari anglez, me origjinë japoneze Kazuo Ishiguro do të shkruante në vitin 2015, dy vite para se të shpallej fitues i “Nobelit” në letërsi, gazetari edhe përkthyesi Renato Kalemi e ka sjellë këto ditë në gjuhën shqipe. Rrëfimi emocional i Ishiguros bëjnë që edhe subjekti i përzgjedhur prej tij, të përcjellë tek lexuesi edhe në gjuhën shqipe, jo vetëm mesazhe mbi dashurinë dhe vdekjen, por edhe të ngrejë pyetje, se çfarë vendi duhet të zënë kujtimet në jetën e një njeriu? A duhet t’i kujtojmë apo harrojmë ngjarjet, njerëzit edhe momentet e lumtura e të hidhura, që janë pjesë e jetës sonë?
“Ishiguro na sjell një rrëfim që vjen si një përrallë, por thelbi i romanit është shumë i vështirë, së bashku me mesazhet që mbart. Ka në qendër harresën edhe kujtesën, që për mua ndahen nga një fije shumë e hollë, pasi njeriu ka momente të gëzuara, të cilat nuk do t’i harrojë, por ka edhe momente të trishtuara, të cilat ka dëshirë t’i harrojë”, shprehet gazetari edhe përkthyesi Renato Kalemi.
Ngjarjet e romanit kanë në qendër një çift të moshuar, Akselin dhe Beatrisin, të cilët një ditë kujtohen se kanë një djalë dhe nisin që ta kërkojnë zhvillohen në vendin e saksonëve, aty ku Mbreti Artur ka udhëhequr.
“Nga ky moment ngrihet pyetja, a është më mirë, që gjërat të harrohen apo edhe të kujtohen? I gjithë ky dyzim është në libër, edhe këtë mund ta përjetosh vetëm duke e lexuar romanin. Unë e kam lexuar librin disa herë. Me leximin e parë kam krijuar një përshtypje, ndërsa në leximin e dytë kam nisur të mendoj dhe më shumë. Prandaj, edhe rrëfimi është shumë prekës, sepse të gjithë kemi gjëra që duhet që t’i kujtojmë edhe t’i harrojmë. Unë jam për mos-harresën! Mendoj se njeriu përbëhet nga gjerat që ka kaluar, para se të arrijë aty ku është”, shpjegon Kalemi.
Edhe pse nuk do ta zgjidhte asnjëherë, që përkthimi të ishte puna kryesore që ai bën, Kalemi shprehet se për të përkthimi është një pasion që mbart për letërsinë, që nga vegjëlia.
“Letërsia ka qenë pasioni im, para se të isha gazetar. Është një pasion, që e kam mbrujtur që në vegjëli. Por kam zgjedhur që ta edhe për t’u shkëputur nga përditshmëria. Është një dëshirë për të vazhduar për të shkruar, edhe për të mos e lënë që të vdesë brenda meje”, përfundon Kalemi.
Renato Kalemi ka përkthyer në shqip nga italishtja edhe anglishtja gjashtë libra, si “Rrezatimi” i Stephen King-ut, “Shtegu i parfumeve” dhe “Vajza e Mjaltit” e Cristina Cabonit etj. Aktualisht mban detyrën e Këshilltarit për Medien dhe Komunikimin në Bashkinë e Tiranës.