E pasur me pyje dhe me liqene, Funari është një nga bukuritë më të rralla të Bashkisë Elbasan, por edhe të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja kërkuan mbështetjen e banorëve të kësaj zone për të vijuar me investimet dhe për 4 vitet e ardhshme. “Gledi po i jep një vëmendje të veçantë Funarit si një nga zonat që në të ardhmen do të ketë një fluks vizitorësh për të parë ato bukuritë tuaja natyrore, për t’u kthyer në një vend që shumë vizitorë të huaj mund të vijnë. Natyrshëm që ka nevojë dhe për përmirësim të infrastrukturës dhe bashkë më Gledin po punojmë për planet e së ardhmes. Siç bëmë edhe energjinë elektrike që jam i bindur tashmë është shumë më e mirë se ç’ka qenë. Ka qenë një nga ato kërkesat tuaja të kahershme dhe më vjen mirë që gjatë mandatit të fundit të qeverisë socialiste edhe kjo gjë u realizua”, tha ai.
Numri dy i socialistëve theksoi se Bashkia e Elbasanit ka potenciale të mëdha. Ai u shpreh se 14 Maji do të çimentojë bashkëpunimin mes qeverisë dhe bashkisë për të realizuar projektet transformuese.
“ Në 14 Maj do na lindi detyra të ‘çimentojmë’ mirë marrëdhënien bashki e drejtuar nga Partia Socialiste – qeveri e drejtuar nga Partia Socialiste. Sepse pa mbështetjen e qeverisë do të ishte e vështirë që projektet të zbatoheshin. Pra po nuk patëm formacionin politik në krye të qeverisë që bashkëpunon me formacionin politik në bashki, të gjitha projektet bëhen të pamundura. Perspektiva e zonës është shumë e mirë dhe projektet e mëdha që kanë filluar do ta japin frytin patjetër dhe në njësinë tuaj. Patjetër dhe Gledi e ka treguar që e ka në vëmendje, ka treguar që di të bëjë projekte, madje së fundi kryeministri Rama u angazhua, i tha do të mbështes me 4-fish më shumë investime për Elbasanin në mandatin e dytë të qeverisjes vendore. Në qytet do të fillojnë shumë shpejt investimet për ujësjellës – kanalizime, investime për Poliklinikën e re që do rikonstruktohet. Veprat e mëdha pastaj që do të bëjmë me ‘By Pass-in’ e të tjera si këto”, nënvizoi Gjiknuri.
Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut komentoi dhe alternativën përballë, për të cilin tha se po përgatit alibinë e humbjes. Gjiknuri u shpreh se qytetarët e Elbasanit e dinë se koha e tyre ka përfunduar tashmë. “Pala tjetër është vetëm. Të gjithë qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë aleanca Berisha – Meta, aleanca e së shkuarës, aleancë që nuk i thotë asgjë zhvillimit. E dëgjuat atë zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit që tha shqiptarët nuk duhet të votojnë mbrapa, ka përfunduar koha e Berishës. Dolën në mes të Elbasanit pa pikë turpi na shpalosën një program ekonomik për Elbasanin. Pa pikë turpi mori një të huaj atje bëri një marrëveshje 400 milion dollar dhe 3000 vende pune. Ai tjetri ishte investitor i madh nga Londra. Futesh në internet, ai dilte nga Bari, kishte një zyrë në Tiranë, kompania në Londër ishte fiktive. Pra shih çfarë niveli gënjeshtre. Ja ky është kandidati që kemi përballë. Prandaj them që kanë premtime boshe dhe nuk përfaqësojnë asgjë”, tha ai.
Teksa bëri thirrje për të votuar dhe për kandidatët socialist për në Këshillin Bashkiak, Gjiknuri deklaroi se vota më 14 maj është dhe konfirmim për politikat sociale të marra nga qeveria.
“Në 14 maj ne nuk votojmë thjesht për pushtetin vendor, por ne vlerësojmë vlerësojmë dhe politikat e qeverisë. S’duhet ti shkëpusim këto të dyja. Këtu dua të marr dy – tre komponentë të rëndësishëm. Politikat e rritjes së pagave që kanë filluar nga qeveria Rama janë politika shumë të mira shumë sociale. Nuk është thjesht se synojmë rritjen e pagës për të gjithë njerëzit, qoftë atyre në administratën shtetërore, për mjekët, për mësuesit, për profesione të ndryshme, por dhe në sektorin privat do të vijnë gradualisht dhe do të barazohen pagat. Por ky është dhe një investim për të mbajtur të rinjtë dhe të rejat këtu në vendin tonë për të ndërtuar të ardhmen këtu. Në 14 maj ne kemi mundësi që ta vlerësojmë me votë këtë në mënyrë që ta inkurajojmë më shumë qeverinë të shkojë në këtë drejtim të nisur”, tha Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se gjatë këtij mandati janë bërë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë krijuar një perspektivë të qartë zhvillimi për Funarin. “Kemi bërë shumë punë të mira, përveç urave që kanë qenë nëpër fshatra, përveç mirëmbajtjes së rrugëve. Ne këtë vit do të rregullojmë pjesën e parë të rrugës ekzistuese. Në bashkëpunim edhe me Këshillin e Qarkut, brenda verës fillon puna edhe për rikonstruksionin e pjesës kryesore në Funar, do të vazhdojmë pastaj me projektin që kemi filluar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për rrugën e re në Dopaj. Ndërkohë kemi ecur me investime për ujësjellësin e Braneshit, kemi ecur me një sërë investimesh të vogla, por edhe të mëdha në Funar. Nuk i kemi bërë të gjitha ato që duhet të bënim, por ama kemi krijuar perspektivën e qartë të zhvillimit të Funarit. Funarin duam ta bëjmë një vend me ekonomi të qëndrueshme dhe ku të kemi një turizëm gjithëvjetor”, tha Llatja.
Kreu i Bashkisë së Elbasanit shtoi se në 4 vitet e ardhshme do të vijojë mbështetja për fermerët. “Në këtë mandat ne do të mbështesim të gjithë banorët të cilët duan ta kthejnë shtëpinë e tyre në bujtinë për të zhvilluar ekonominë e tyre lokale. Ne këtë mandat të ri po bëhemi gati për një zhvillim të madh në qytet, të bëjmë katër herë më shumë punë seç kemi bërë këtë mandat me kaq shumë probleme. Do të vazhdojmë mbështetjen me zonat rurale, do të vazhdojmë mbështetjen me Grupin e Veprimit Vendor , me atë që e kemi ngritur të gjithë bashkë në janar që e kemi krijuar në Këshillin Bashkiak në mënyrë që edhe ne si bashki të kontribuojmë për fermerët, sidomos për pikat e grumbullimit, për pikat e konservimit apo edhe për fabrikat e vajit dhe përpunimit të frutave. Unë jam i bindur se do jemi edhe 4-vjeçarin e ri të cilin po bëhemi gati të fitojmë në bashkinë e Elbasanit”, nënvizoi kryebashkiaku Llatja.
Lajmi kryesor:
‘Vendoret’/ Kandidatët e forcave politike në terren për bashkëbisedim me qytetarët
G.MO//ReportTv.al