Gjiknuri, Kushi dhe Llatja takim me arsimtarët e Elbasanit: Më 14 maj votohet dhe për progresin e Arsimit! Rritja më e madhe e rrogave për mësuesit

6 Maj 2023, 21:30| Përditesimi: 6 Maj 2023, 22:36

  • Share

 

Sekretari i Përgjithshën i PS, Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilluan një takim me arsimtarët e Elbasanit. Teksa i cilësoi themeli i shoqërisë dhe kombit, numri dy i socialistëve nënvizoi se qeveria socialiste dhe Bashkia i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë investimeve në asrsim.

“Jeni themeli i asaj që quhet komb, roli juaj në shoqëri është i jashtëzakonshëm. Nuk i bën dot shkollat pa mbështetje financiare. Realisht kushdo duhet ti jetë në njëfarë mënyrë mirënjohës kësaj qeverie e cila po e bën të mundur këtë. Dikush thotë, se ka edhe skeptikë, e ka për detyrë! Po mirë, detyrë e kishin dhe të tjerët, por nuk e bënë. Kjo qeveri po e bën dhe ky është realiteti. Në fund të fundit çdo qeveri duhet të vlerësohet për masat që merr. Në qoftë se ju sqaroni të tjerët që me votën e 14 majit kemi mundësi të shpërblejmë dhe këto politika të mira të qeverisë, unë them që është mesazhi i duhur për ta bërë këtë. Bëjeni për veten tuaj. Votoni edhe për progresin e arsimit dhe për çfarë është bërë për arsimin në Shqipëri dhe për atë çfarë do të bëhet më tej”, tha Gjiknuri. 

Ai shtoi se dhe rritja e pagave për arsimtarët është e mirëpritur. Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë. Ai thekoi se qytetarët dhe arsimtarët e kanë të qartë se kundërshtari nuk ofron asnjë politikë konkrete.

“Edhe alternativat përballë nuk janë domethënëse për ju. Po të bësh krahasimin me çfarë kemi përballë edhe këtu në Elbasan, nuk po flas për ato dy të mbaruarit e Tiranës se në fund të fundit ata janë si dy fosile politike që po mundohen të dalin në një realitet të ri politik po që nuk u ofrojnë asgjë shqiptarëve. Edhe atë që kanë sjellë këtu në Elbasan, kandidati kundërshtar, po ka një gjë që mbahet mend ai ishin politikat e kuadrit në arsim. Doni të vijë prapë po ajo kohë siç bëheshin politikat në arsim dhe ai ishte kryetar i Partisë Demokratike dhe kishte në dorë vulën dhe firmën bashkë me ata bedelët që administronin arsimin në atë kohë apo doni modele të tjera që i shikoni përditë? Mund të mos jenë modele perfekte, por janë si nata me ditën e atij modeli që unë këtu në Elbasan e kam dëgjuar. Alternativa përballë është një alternativë që nuk thotë asgjë për Elbasanin”, deklaroi ai.  Gjiknuri theksoi se ajo që ofron kundërshtari janë vetëm mashtrimet . “Doli pa pikë turpi kandidati kundërshtar dhe prezantoi në Elbasan ca programe që janë të gënjeshtërt. Si mund ti besosh një njeriu që merr një të huaj që flet anglisht, e nxjerr atje, nënshkruan dhe një marrëveshje kryetari i ri i bashkisë, status totalisht i panjohur se o je, o s’je, nënshkruan marrëveshje me 400 milion dollarë investime me një kompani që s’figuronte. Jo vetëm që është mashtrim, por mashtrim shumë i lirë. Duke qenë i lirë tregon që njeriu është fare pa integritet. Si mund ti besosh ti drejtimin e bashkisë? Si mund ti besosh politikat publike dhe fatin e mijëra qytetarëve të Elbasanit kur e fillon me një gjë kaq ordinere. Alternativa përballë është një alternativë komplet boshe”, deklaroi numri dy i PS-së.

Drejtuesi politik i qarkut nënvizoi se falë mbështetjes dhe të qeverisë shqiptare, Elbasani ka hyrë në rrugën e zhvillimit.

“Për Elbasanin Gledi ka projekte konkrete. Elbasani ka hyrë në një rrugë zhvillimi. Ka akoma nevojë për vëmendje më shumë. Por kjo vjen vetëm me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Këto projekte të mëdha që po bëhen këtu patjetër do ta japin ‘frutin’ ekonomik për të gjithë qytetarët. Patjetër dhe për ju, por edhe për fëmijët tuaj që do të kenë një mundësi dhe një të ardhme më të mirë në Elbasan. Unë e kam bindje dhe e them: Elbasani ka avantazhe krahasuese që nuk duhen mohuar. Qënia afër kryeqytetit dhe afër afër bregdetit, i pozicionuar në qendrë ye Shqipërisë, me një infrastrukturë shumë të mirë energjetike do të krijojë mundësi zhvillimi që nuk i kanë të tjerët, shtoi më tej ai.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh se mbështetja për arsimtarët do të vijojë, duke përfshirë dhe rritjen e pagave.

“Mandatin e kaluar ju jeni dëshmitarë se si pagat u rritën 32% , ndërkohë që në fillim të këtij mandati në vitin 2021 ne u angazhuam që brenda këtij  mandatit pagat e mësuesve do të rriten 40 %, por ne e kemi tejkaluar këtë angazhim, sepse falë reformave në ekonomi, ne kemi mundur të stabilizojmë buxhetin e shtetit dhe të garantojmë një pagë më të lartë edhe për mjekët, edhe për shumë profesione të tjera, por veçanërisht për mësuesit. Vitin e kaluar i rritëm pagat me 6%, këtë vit i rritëm me 7%, dhe vitin e ardhshëm do të jetë rritja më e madhe ndonjëherë këto vitet e fundit që varion nga 23 deri në 26% sigurisht në varësi të ciklit dhe të kualifikimeve dhe të gjithë atyre treguesve të tjerë që janë kriter për përcaktimin e pagës së një mësuesi. Në datën 14 Maj ne të votojmë Gledin dhe Partinë Socialiste. Jo si qëllim në vetvete, por për të vazhduar me këto reforma, për të vazhduar me mbështetjen e mësuesve,  për të vazhduar edhe me punët e mira për qytetin dhe projektet e mëdha për qytetin”, deklaroi Kushi.

Kryebashkiaku Llatja  u shpreh se këtë mandat janë bërë 6 shkolla, ndërkohë që puna vijon me të tjera institucione arsimore jo vetëm në qytet, por dhe në zonat rurale.

“Ne kemi bërë 6 shkolla këtë mandat, pavarësisht problemeve që kemi pasur me financat apo problemeve që na kanë ardhur nga tërmeti apo nga pandemia. Dy shkolla profesionale “ Sali Ceka” dhe “ Ali Myftiu” janë punë e bërë në këtë madat tonin, “ Onufri” është një tjetër shkollë e cila po rikonstruktohet totalisht “ Konstandi Kristoforidhi”, po ashtu një shembull i mirë, siç duam të bëjmë të gjithë gjimnazet tona. “ Jorgji Dilo” po ashtu është një shkollë fantastike, “ Bardhyl Popa”, po ashtu. Ne po zhvillojmë modelet e reja të klasave dhe të gjitha strukturat e reja që po bëjmë, janë me klasa sipas standarteve. Ne kemi bërë një super projekt për shkollën “ Naim Frashëri”, një projekt fantastik për shkollën e Treganit. Duam që këtë mandat të zhvillojmë infrastrukturat tona sportive dhe në të gjitha njësitë administrative, ashtu siç duam shkollën e Kuqanit, ashtu siç duam t’a bëjmë në njësinë administrative Gjergjan, ashtu siç duam të bëjmë në Bradashesh edhe në Papërr, të shtojmë terrenet sportive për nxënësit tone”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.


Lajmi kryesor:

‘Vendoret’/ Kandidatët e forcave politike në terren për bashkëbisedim me qytetarët


B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?