Ervin Bushati, Jim Himes dhe Damian Gjiknuri

Gjiknuri vizitë në Washington, takohet me kongresmenë amerikanë: Informova për ecurinë e reformës zgjedhore dhe garantimin e të drejtës së votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë

30 Janar, 19:12| Përditesimi: 30 Janar, 19:26

  • Share

Deputeti i PS, Damian Gjiknuri, në rolin e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka mbërritur ditën e sotme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjiknuri ishte i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA,  Ervin Bushati dhe zhvilloi një takim me kongresmenin Jim Himes.

“Nisur nga interesimi i tij rreth votës së diasporës, e informova kongresmenin në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe garantimin në ligj të kësaj të drejte për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit tonë. Gjithashtu e njoha me përpjekjet e përbashkëta për të mbushur çdo boshllëk legjislativ në lidhje me këtë të drejtë të sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Me rëndësi thelbësore miratimi i një metode votimi nga jashtë që siguron integritet dhe llogaridhënie administrative për këtë proces sa të rëndësishëm aq edhe sfidues. U angazhova të informoj në vijimësi Kongresin në lidhje me ecurinë e këtij procesi edhe në kuadër të interesimit të shumë organizatave dhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gjiknuri në një postim në Facebook.

Po ashtu, bashkë me disa deputetë të tjerë të Kuvendit ai takoi kongresmenin Peter Sessions.

“Diskutuam tema të çështjeve që lidhen me sigurinë në rajon ashtu sikurse me zhvillimet më të fundit në rrafshin e sigurisë botërore. Me interes edhe mesazhet kyçe që pritet të përcillen ditën e nesërme në konferencën për sigurinë dhe sfidat e rajonit tonë, e cila do të zhvillojë punimet në mjediset e Kongresit të Shteteve të Bashkuara!”, nënvizon Gjiknuri.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?