Gjiknuri: Lul Boçi të japë llogari përse strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës! Opozita po ndërton alibinë e humbjes

11 Maj 2023, 23:00| Përditesimi: 12 Maj 2023, 11:52

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i PS, njëherësh Drejtues Politik i Qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë kandidatin Luçiano Boçi i cili strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës.

“Gjithashtu, përpara se sa të kthejë poezitë e tij në tekste kallëzimesh, kandidati Lul Boçi duhet të japë llogari para organeve të drejtësisë përse strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës si shtetasi I.SH. apo personazh tjetër i botës së krimit si shtetasi M.D. me të cilët lëviz kryesisht natën nëpër lagje e fshatra të Bashkisë së Elbasanit! Ndaj këtyre të fundit, organet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë duhet të bëjnë menjëherë punën e tyre”, tha Gjiknuri.

Në postimin e tij në rrjete sociale, numri dy i socialistëve nënvizon se opozita po përgatit alibinë e saj të humbjes.

“Me dëshpërimin e një njeriu që teksa ka kaluar gjithë fushatën duke gënjyer, e ndjen humbjen ti rrotullohet rreth kokës e ti turbullojë shikimin, Lul Boçi i Ilir Metës dhe Sali Berishës ka pranuar sot publikisht kapitullimin teksa për të ndërtuar alibinë e humbjes firmos “pa doganë” gjoja kallëzime ndaj funksionarëve të Partisë Socialiste në Elbasan. Mos harroni! Është i njëjti që gjatë gjithë fushatës vetdeklarohej fitues! Është i njëjti që gjatë gjithë fushatës nuk ngriti asnjë pretendim për cënim të procesit! Sapo e nuhati humbjen e pashmangshme nga e cila e ndajnë vetëm 3 ditë kapet si i mbyturi në fijen e barit”, thotë Gjiknuri.

Gjiknuri, që është dhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan u bën thirje të gjithë shtabeve zgjedhore të Partisë Socialiste dhe trupës zgjedhore, anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV të mos intimidohen, të mos bien pre e provokimeve.

“Respektoni ligjin në çdo hap, duke garantuar zhvillimin e një procesi të qetë e në përputhje me standardet ndërkombëtare. Një proces të denjë për qytetarinë që Elbasani e meriton, larg konflikteve shterpe dhe tensioneve artificiale që i kanë vënë fatkeqësisht damkën qytetit nga ata që refuzojnë të pranojnë rezultatin”, nënvizoi Gjiknuri.


Lajmi kryesor:

Edhe dy ditë fushatë, kandidatët në terren, takime me qytetarët


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?