SPAK po vijon hetimet për rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa analistja Brizida Gjikondi tha në Report Tv se Altin Dumani i ka dhënë tjetër ritëm hetimeve. Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga, analistja Gjikondi thotë se lënia pas dore e dosjes së Ahmetajt nga prokurorët më parë i kanë dhënë atij 1 vit kohë që të fshehë provat, por edhe të marrë masa që të transferojë të ardhura monetare që i ka përfituar nga detyra.
Sipas Gjikondit, Ahmetaj është truri i skemës së inceneratorëve, ndonëse ka edhe persona të tjerë që janë të përlyer.
“Marrja e dosjes nga Dumani i ka dhënë një tjetër ritëm. Prokurorët e mëparshëm nuk i kanë dhënë orientim dhe hetim cilësor veprës. Është për të ardhur keq sepse i kanë 1 vit kohë personit në fjalë që jo vetëm të fshehë prova dhe të mbledhë prova për t’i përdorë për shantazh politik por edhe të marrë masa që të transferojë të ardhura monetare që i ka përfituar nga detyra.
Këto gënjeshtra nuk janë asgjë para skenarit që ka bërë ai bashkë me të tjerë për të gjunjëzuar shtetin shqiptar me këtë skemë incenratorësh që mesa duket ka dhe të tjerë të përfshirë. Ai është truri i skemës, patjetër që ka bërë edhe të tjerët pis sepse do bashkëpunëtor. Kjo e inceneratorëve e ka nxjerrë shtetin shqiptar dhe politikën shqiptare lakuriq në të gjitha krahët, edhe opozitën. Nuk është pa përgjegjësi politike Rama”, tha Gjikondi.
Drejtuesi i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj thotë se qeveria e Edi Ramës ka prodhuar një skandal korruptiv që sipas tij nuk do të zbulohej nëse s’do të niset përplasja mes ‘bandave të qeverisë’, pasi Ahmetaj nuk mori pjesën që i takonte nga inceneratorët.
“Kjo qeveri me në krye Edi Ramën ka prodhuar këtë mega skandal korruptiv. E rëndësishme që është në këtë qeveri që drejtohet nga Edi Rama arrijnë të ndodhin këto afera kaq të mëdha që ne s’do i merrnim vesh kurrë nëse bandave të qeverisë s’do i kishte hyrë sherri, sipas mediave, Ahmetaj nuk mori pjesën sa i takonte dhe dekonspiroi shokët, nëse është e vërtetë. Nuk është rastësi që në Shqipëri kanabizimi u bë me mbrojtje shtetërore aferat që i kanë ndodhur kësaj qeverie janë shumë të rënda, janë të përfshirë gjysma e qeverisë. Drejtësia deri tani ka goditur vetëm drejtues të qeverisë aktuale, se ata e kanë bërë zullumin shumë më të trashe dhe më të hapur”, tha Topollaj.
Byroja Kombëtare e Hetimit kontrolloi sot 7 banesat e dyshuara në pronësi të Arben Ahmetajt, ish gruas së tij Albina Mançka dhe partneres aktuale Erjola Hoxha në Tiranë dhe në Hamallaj. Gjatë kontrolleve u gjetën prova me vlerë të cilët pritet të shërbejnë në hetime. SPAK vuri në sekuestro preventive 6 pasuri të tjera, 4 prej të cilave apartamente dhe 2 llogari bankare ne emër të Ahmetaj.