GJILAN - Policia e Kosovës në koordinim edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës sot ka realizuar planin taktik, pasi janë pranuar informacione se në rajonin e Gjilanit disa persona të dyshuar janë duke tentuar të vënë në qarkullim shuma të mëdha të parave të falsifikuara.
Sipas policisë, lidhur me rastin gjatë veprimeve hetimore në mënyrë të kontrolluar është ndaluar automjeti me targa vendore të cilin ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit të realizuar në veturë janë gjetur dhe konfiskuar 105 mijë euro për të cilat ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara.
“Në lidhje me rastin është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit ku është gjetur makina për numërimin e parave. Në këtë rast në total janë sekuestruar provat si në vijim: 100,000.00 euro kartëmonedha nga 200 euro. 5000.00 €uro kartëmonedha nga 100 €uro, 1 makinë për numërimin e parave, 3 telefona celular”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se lidhur me rastin me vendimin e prokurorit i dyshuari i lartcekur dërgohet në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerje të veprave ‘’Falsifikimi i parasë’’ dhe ‘’Pastrim i parasë’’./ Kosova Press