Një ngarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjilan të Kosovës.
Sipas autoriteteve policore dhe ato të Prokurorisë, një zyrtare e policisë së Kosovës ka vrarë katër anëtarë të familjes dhe më pas veten
Dyshohet se fillimisht ajo ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.
Sipas policisë arma e zjarrit u gjet në dorën e Valdete Bllacës, e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.
Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte qëlluar drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.
Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, pasi ka pare masakrën e kryer nga vëllai, ka qëlluar mbi të duke e lënë të vdekur, dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.
Por, këtë version të fqinjëve të familjes Bllaca po e hedh poshtë Prokuroria.
“Për momentin nuk ka asnjë provë që është përdorur revole tjetër. Arma i është gjetur polices”, ka thënë policia dhe prokuroria.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se shuarja e familjes Bllaca është lajm tronditës.
Ai ka njoftuar se ndo të ketë një ditë zie në nderim të kësaj familje në ditën e varrimit të tyre, e cila ende nuk është caktuar.
“Familje e ndershme, sigurisht që Prokuroria kanë me zbardh problemin që kanë shkaktuar këtë tragjedi. Nuk ka të bëjë me gjendjen sociale”, është shprehur Haziri.
“Tragjedia është në hetime dhe zbardhja e rastit nga ana organeve të shtetit. Transmetojeni ngjarjen ashtu siç policia po e zbardh. Është shuar një familje, familje e ndershme e respektuar. Problemet që ka pasë ka shkaktuar këtë tragjedi që mund të kalohet me solidaritet”.
Komunikata e plotë e prokurorisë:
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje. Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera Valdete Bllaca, zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.