Nxënësit e gjimnazit të përgjithshëm 'Raqi Qirinxhi' në Korçë tashmë kanë në dispozicion laboratorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të pajisur me kompjuterë të rinj. Gjithashtu edhe palestra e kësaj shkolle me tradita, nga sot ka mjete sportive për të zhvilluar më mirë aktivitetet sportive. Është një kontribut i Grupit BALFIN dhe në veçanti i Presidentit të tij, Samir Mane, për të rritur më tej cilësinë e mësimdhënies.
Si ish nxënës i këtij gjimnazi, Samir Mane vlerëson përkushtimin e stafit mësimor dhe punën e tyre për të gjithë brezat ndër vite dhe shpreh kënaqësinë që i jepet mundësia të ndihmojë institucionin ku ai vetë ka ndjekur mësimet. Ai premton se sistemi arsimor do të ketë përherë vëmendjen e tij dhe të Grupit që drejton.
Keti Qirinxhi, drejtoreshë e shkollës, vlerëson shembullin e dhënë nga Presidenti i Grupit BALFIN. “Marrja e njohurive të reja nëpërmjet teknologjisë është një nga mënyrat që i bën nxënësit të aftë për ecurinë e mëtejshme akademike dhe profesionale, ndaj dhe ky laborator do t’ua shtojë dëshirën për rezultate më të mira” shton ajo.
Grupi BALFIN e konsideron edukimin si faktor thelbësor për zhvillimin e shoqërisë, kështu që mbështetja e nismave për sistemin arsimor renditet në krye të përgjegjshmërisë sociale të kompanive që janë pjesë e tij. Produkte didaktike dhe edukuese për grupmosha të ndryshme, krahas rinovimit të infrastrukturës në qendra që kujdesen për fëmijët janë projektet e realizuara së fundmi. Kompani të tjera të Grupit BALFIN kanë plotësuar nevojat e shkollave dhe kopshteve në zonat ku kryejnë aktivitetin. Këtyre u shtohet projekti më i ri B4Students, që ka në qendër të rinjtë dhe edukimin, pjesë e të cilit janë bërë 1.400 studentë, 70 prej të cilëve kanë kryer praktikën profesionale në kompanitë e Grupit Balfin vetëm gjatë vitit të kaluar. Angazhimi social i Grupit BALFIN rrjedh natyrshëm nga vlerat e tij të brendshme, si një organizatë që vepron me përgjegjshmëri në çdo aktivitet!