Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ është gati, Veliaj: Shkolla e së ardhmes! Basti i atyre që bllokojnë punët dhe janë kundër progresit, është i humbur

25 Qershor 2022, 13:20| Përditesimi: 25 Qershor 2022, 13:34

  • Share

Gjimnazi “Sami Frashëri” është gati për vitin e ri shkollor në shtator. Një shkollë më e madhe se ajo që u dëmtua rëndë nga tërmeti, me një arkitekturë unike dhe me mjedise cilësore për zhvillimin e mësimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka ndjekur hap pas hapi rindërtimin e shkollës, zhvilloi edhe një inspektim të fundit mbi ecurinë e punimeve, për të cilën tha se është qershia mbi tortë e projektit për ndërtimin e mbi 40 shkollave në Tiranë.

“Do jetë shkolla më e madhe dhe më e bukur në Republikën e Shqipërisë. “Sami Frashëri” u dëmtua nga tërmeti dhe fatkeqësisht u politizua. U them kolegëve të mi në anën tjetër të politikës: Mos vini bast kundër progresit, mos vini bast kundër së ardhmes, sepse është bast i humbur! Kush kacavirret për të bllokuar njëherë këndin e lojërave, pastaj një shkollë, e mandej një shesh, Pazarin, Kalanë e Liqenin, është i destinuar të humbë sepse qyteti është i destinuar të fitojë. Kjo shkollë ka prodhuar gjysmën e qeverisë sonë, por ka prodhuar edhe më shumë se gjysmën e opozitës sonë. Të zihemi për shkolla në vitin 2022, duke bllokuar punët publike, është një stil i vjetër i shëmtuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se nuk është aspak e hijshme të bllokohen punët e mira dhe cilësore.

“Të zihemi për shkolla në vitin 2022 është stili që mbajmë mend nga “Samiu” i viteve ‘96-’97-’98. Por, ajo ishte një Shqipëri tjetër, e cila jetonte me krizën e piramidave, që vuante nga izolimi i thellë. Këtë s’mund ta themi në vitin 2022. Vetëm kjo shkollë ka një kontribut të jashtëzakonshëm për emancipimin e vendit, përfshirë të gjithë krahët e politikës. Ndaj, është shumë e rëndësishme të ecim përpara, të sigurohemi që brezi i ri mëson nga gabimet e brezit tonë dhe brezit më përpara, për të mos penguar njëri-tjetrin dhe për të mos penguar progresin e qytetit dhe vendit tonë”, nënvizoi ai.

Kreu i Bashkisë tha se kjo do të jetë shkolla e së ardhmes, me kapacitet të shtuar, e që do i rrisë akoma më tepër vlerën zonës përreth. Veliaj dha lajmin e mirë për maturantët e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët do të zhvillojnë ceremoninë e diplomimit në mjediset e e reja të shkollës së transformuar.

“Ne kemi vendosur një standard për shkollat e së ardhmes. Një apartament shitet më shtrenjtë dhe më shpejt kur ka afër diçka të bukur, sidomos kur ajo është shkollë. Lajmi i mirë për të gjithë maturantët që diplomohen këtë vit, të cilët janë brezi i tërmetit dhe i pandemisë, që mësimin e kanë kryer në shkolla të tjera, është se mund ta bëjnë festën e diplomimit te palestra e re gjigante e ‘Sami Frashërit’. Ndërsa, ceremoninë e përurimit do ta kemi në shtator, kur të hapet viti i ri arsimor”, përfundoi Veliaj.

Gjimnazi 'Sami Frashëri'
 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?