TIRANË- Nga 1 qershori, të gjithë autoshkollat do të futen në "sitë" dhe cila nuk do të plotësojë të gjitha kriteret e reja të vendosura, do të mbyllen, madje do të ketë edhe ndjekje penale për vetë drejtorët teknik. Në emisionin 'Studio Live' në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës kombëtare të Autoshkollave, Tonin Gjinaj prezantoi disa nga ndryshimet, që do duhet të kenë parasysh tani më çdo kursant, por edhe drejtor teknik. Pikë së pari, Gjinaj ka sqaruar se e gjithë pagesa për marrjen e lejes së drejtimit, do të kryhet në një bankë të nivelit të dytë, e jo më në autoshkollë siç ka funksionuar deri më tani. Nuk dihet nëse kjo gjë do i hiqte mundësinë një praktikanti për të bërë ose jo pagesën me këste.
Nga ana tjetër, duke u ndalur te çmimi, Gjinaj ka bërë me dije se një kursant nuk do të ketë të nevojshme që të kontrollojë se cila autoshkollë ofron një çmim më të lirë, kjo sepse me ndryshimet e reja do të ketë një unifikim të çmimit për çdo qark. Që do të thotë nëse e sjellim me një shembull në Tiranë, çdo autoshkollë do të ketë një çmim, e ndërsa në Dibër një tjetër çmim, që do të jenë pak a shumë të ngjashëm, por ndryshojnë pasi janë kushte të ndryshe. Gjinaj nuk folur për një rritje të çmimeve nga sa janë aktualisht që variojnë në një maksimum prej 35 mijë lekëve, por tha se do të jetë një një çmim reference që do të vendoset në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve. Se sa do të jetë, nuk dihet ende.
"Pagesa e kandidatëve do të bëhet në një bankë të nivelit të dytë, do të ketë një kontratë që do t'i vihet në dijeni të praktikantit dhe do të firmosë për orët e praktikës, dhe do ketë një çmim reference që do jetë një pagesë minimale, për të bërë programin mësimor. Sot në shumicën e rasteve e bënin në duar të sekserëve që mbërritën në disa kohë që të ishin më të suksesshëm të autoshkolla. Do i fusim në sitë të gjithë autoshkollat, se kemi përgjegjësi që të nxjerrim njerëz të aftë në punë e jo vrasës. Nuk do ketë që një autoshkollë ta bëj patentën 500, një tjetër 300, do ketë unifikim të çmimit në çdo qark", tha Gjinaj në Report Tv.
Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme e ndryshimeve janë edhe mbyllja e autoshkollave që nuk do të plotësojnë kriteret si edhe mënyra se si mund të merret një leje për të hapur një shkollë ku shoferët e rinj do të mësojnë makinën. Kjo gjë, tha Gjinaj nuk do të sjellë një treg monopol apo oligopol.
"Autoshkollat do të hapen sipas një numri të caktuar banorësh dhe popullsisë, duke parë kriteret e ofertës që janë në treg. Ato që janë të hapura konform ligjit, janë të qeta, të vazhdojnë punën, ka autoshkolla që janë hapur jashtë kritereve, është abuzuar, është dhënë një rol të jashtëzakonshëm drejtorit teknik, nëse nuk zhvillojnë mësim sipas Kodit Rrugor në ambientet autoshkollave, do të jetë të penalizuar dhe do të mbajnë përgjegjësi ligjore për mos kryerjen e aktivitetit në autoshkolla. Drejtorët teknik t'i vënë duart e kokës, nuk mund të ketë një autoshkollë të hapet me nipte të ndryshme në disa zona, ajo autoshkollë ka një seli, një vendndodhje. Sot kemi 135 autoshkolla dhe 600 mjete, duhet rreth 200 mjetet", vijoi Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave.
Gjinaj ka sqaruar dhe se si do të funksionojë zbritja e pikëve dhe rikthimi në autoshkollë. Lajmi i mirë është nëse një shofer që do të marrë një patentë të një kategorie më të lartë, tani do të ketë lëhtësira. Ndërkohë, ai ka sqaruar se kush i humbet pikët e patentës, do të kthehet në autoshkollë, ku do të bëjë 15 orë mësimi, që do të jetë kryesisht të normave të sjelljes që do të zgjasin jo më pak se 6 ditë, pra në ditën e shtatë do të ketë mundësi për t'u futur në provim dhe për të rimarë sërish pikët e nevojshme.
"Leja e drejtimit është me pikë dhe për shkelje që bëhen hiqen pikë. Kthehet me kurs dhe me provim, dhe ndarje në dy rryma, nëse do të marrë të kategorisë D apo D1, nëse ka bërë 3 vjet në kategorinë B, mund të marrë kategorinë D apo D.
Do të jenë 15 tema në 12 ditë, jo më pak se 6 ditë, nëse fiton provimin e merr lejen e drejtimit. Patenta nis me 19 pikë, nëse nuk bën shkelje atëherë çdo 2 vjet rriten 2 pikë, se kryen shkelje, pikët hiqen sipas shkeljes", përfundoi Gjinaj në Report TV.
Lajmi në web u përgatit nga gazetarja Brunilda Kazani