Gjirokastër- Gjykata e Gjirokastrës dha sot (29 korrik) masën “arrest në burg” në ngarkim të Vadym Tryfonony, turistit ukrainas që dy ditë më parë, teksa ishte duke udhëtuar me xhipin e tij ‘Mercedez Benz’, u përplas me një fuoristradë “Range Rover”.
Masa e sigurisë u mbajt në Spitalin e Gjirokastrës, ku drejtuesi i huaj ndodhet i shtruar me plagë të shumta pas aksidentit, teksa udhëtonte drejt Ksamilit, ku kishte prenotuar një javë në hotel për pushime.
Ngjarja ndodhi në kthesën e Luftinjës, në aksin nacional Memaliaj-Mallakastër, duke shkaktuar fatkeqësisht edhe vdekjen e një fëmije 7-vjeçar që ndodhej në bordin e ‘Range Rover’, i cili drejtohej nga babai i vogëlushit, Blerim Dulaj. Ky i fundit dhe bashkëshortja mbetën të plagosur lehtë, ashtu sikurse edhe dy turistët ukrainas, që udhëtonin në mjetin tjetër.
Prokurorja e çështjes, Aulona Haxhiraj, ka dhënë detajet nga aksidenti bazuar nga ekspertimi i grupit hetimor, ku bën fajtor shtetasin ukrainas, i cili ka konsumuar veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen. Pas kësaj, gjykatësja Entela Selmanaj ka dhënë masën e arrestit me burg pa afat.
Seanca gjyqësore është zhvilluar në Pavionin e Kirurgjisë, në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku shoferi ukrainas ndodhet i shruar me fraktura të shumta në gjymtyrë dhe ruhet me efektivë.
Turisti i arrestuar ukrainas kishte ardhur në Shqipëri për pushime, pasi kishte prenotuar dhomë për 7 ditë në Ksamil.
Komente
