Gjirokastër/ Ekspozita për Festën greke, arti bën bashkë shqiptarët dhe minoritarët

22 Mars, 16:01| Përditesimi: 22 Mars, 17:05

  • Share

Një grup krijuesish të arteve figurative, shqiptarë dhe minoritarë grek çelën një ekspozitë të veçantë në Gjirokastër me punime në pikturë e skulpturë. Aktiviteti zhvillohet në kuadër të 25 Marsit, Festës Kombëtare të Greqisë.

Emra të spikatur të artit pamor nga Gjirokastra, Dropulli, Saranda e Vlora, erdhën në këtë ekspozitë me punimet e tyre, realizuar ndër vite.

‘Ka një gjeografi të gjerë të autorëve janë rreth 27 piktorë të arteve figurative, skulptorë dhe grafistë të cilët me punët e tyre më të bukura kanë ardhur me kënaqësi për të pasqyruar veprat e tyre. E veçanta e kësaj ekspozite është se këtu janë bashkuar artistë shqiptarë me artistë minoritarë dhe kjo bëhet me qëllim që arti i bashkon njerëzit edhe në këtë fushë.’- tha Stefan Arseni, kurator.

"Ekspozita të tilla duhet të ketë shpesh sepse ato na mbledhin të gjithëve, ato na bashkojnë të gjithëve, dhe në fund dhurojnë atë për të cilin ne kemi nevojë ushqimin shpirtëror i cili na ushqen çdo ditë dhe na mban gjallë në jetën dhe në përditshmërinë tonë", u shpreh Llambi Margariti, pedagog i arteve figurative.

Ekspozita vjen si bashkëpunim i shoqatës "Miqësia" dhe Konsullatës së të Greqisë në Gjirokastër. Përgjatë këtij viti në qytetin e gurtë janë çelur disa ekspozita të arteve figurative që kanë tërhequr vemendjen e artdashësve.

 

 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?