Policia e Gjirokastrës ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara, "The Bridge" dhe "Attempt", të zhvilluara në fushën e parandalimit dhe goditjes së kalimit të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Si rezultat, janë arrestuar 7 shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Po ashtu, janë sekuestruar 5 automjete të përdorura për transportin e emigrantëve, 4800 euro, 40 000 lekë dhe 8 aparate celularësh.
Në operacioni “The Bridge”, të zhvilluar nga strukturat për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrance Altin Delija, 43 vjeç, Klajdi Toshkollari, 22 vjeç, një shtetas i mitur, 17 vjeç, si dhe u ndalua Henri Ranci, 23 vjeç. Ndërsa u shpall në kërkim Klei Çela, 23 vjeç.
Ata po transportonin 6 emigrantë nga Filipinet, me qëllim kalimin e tyre drejt Sarandës. Nga hetimet dyshohet se dy prej të arrestuarve po monitoronin rrugën për të sinjalizuar praninë e Policisë. Në këtë operacion u sekuestruan 2 automjete, 2900 euro, 40 000 lekë dhe 4 celularë.
Në operacionin “Attempt”, të zhvilluar në bashkëpunim me Stacionin e Policisë së Kufirit të Gjelbër Kakavijë dhe Forcën “Shqiponja”, u arrestuan në flagrance Ardit Koçi, 29 vjeç, Daniel Muçollari, 22 vjeç dhe Emanuel Ferra, 21 vjeç.
Të arrestuarit po përpiqeshin të transportonin 12 emigrantë nga Pakistani, kur u lokalizuan nga Policia në vendin e quajtur “Kthesa e Jorgucatit”. Ata nuk iu bindën urdhrave për ndalim dhe tentuan të largoheshin me shpejtësi, por u ndaluan pas ndjekjes nga forcat e rendit. Nga operacioni u sekuestruan 3 automjete, 1900 euro dhe 4 celularë.
Komente
