Gjirokastër- Prokuroria e Gjirokastrës ka dhënë sot (19 Nëntor) pretencën në ngarkim të ish-kreut të Kadastrës së Gjirokastrës, Florian Taçi dhe dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që gjenden në qeli, Alban Memishaj dhe Julian Nakuçi.
Gazmend Frëngu, prokurori i çështjes, në konkluzionet e dhëna para gjykatëses Nertila Përralla, kërkoi 6 vjet burg për ish-zyrtarin vendor Taçi dhe nga 4 vjet burg për dy të tjerët.
Nisur nga kërkesa e të pandehurve qysh në seancën fillestare, për gjykim të shkurtuar, Florian Taçit do t'i ulet 1/3 e dënimit nëse shpallet fajtor, pra do të dënohet me 3.4 vjet burg, përllogaritur këtu dhe 7 muaj që ka kaluar në arrest shtëpie gjatë kësaj periudhe.
Ndërsa Memisha dhe Nakuçi do të vuajnë nga 2.5 vjet burg. Mbi ish-kreun e Kadastrës së Gjirokastrës rëndojnë akuzat e falsifikimit, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Mbrojtja kërkoi 10 ditë kohë për konkluzionet.
Florian Taçi u arrestua në flagrancë nga Policia e Gjirokastrës më 28 shkurt të këtij viti. Më 2 Mars Gjykata miratoi masat e sigurisë ndaj tre të pandehurve.
Gjatë seancës Gjykata nuk pranoi prezencën e Report TV në sallë, teksa nuk është dhënë asnjë sqarim nga zëdhënësja e institucionit, edhe pse i është kërkuar një shpjegim zyrtar.