Qytetarët në Gjirokastër hasin vështirësi në kryerjen e analizave mjekësore pranë spitalit rajonal "Omer Nishani" pasi laboratori i analizave nuk u garanton pacientëve të gjithë analizat.
Për këtë arsye, shpesh diagnostikimin e kryejnë në klinika dhe laborator privat duke sjellë edhe më shumë shpenzime për xhepat e tyre.
“Tek privati shkojmë për ato që jemi të detyruar të vemi, për shembull për një analizë gjaku për prostatin jemi të detyruar tek privati, pasi në shtet nuk bëhet. Pagesat ai i ka vënë pagesë fikse, për një analizë gjaku 1500 lekë shumë është për ne pensionistët”, shprehet një i moshuar.
“Shkojmë te privati i bëjmë, ose kur bëjmë ato të diabetit. Se kemi thonë këtë njëherë na e bëjnë ata, njëherë detyrohemi të shkojmë tek privati. Unë pagova tani shpejt 1 milion e gjysmë lekë për shkak të Covidit”, shprehet një qytetar tjetër.
“Shkojmë për vizitë tek shteti në spital , shko tek privati thonë ata po me aq pension ça të bëj”, thotë një i moshuar.
Nga ana tjetër zëvendës drejtori i spitalit rajonal Roland Karalliu ka pohuar se mund të ketë raste për ndonjë analizë të përkohshme për të cilën pacientët mund t’i jenë drejtuar privatit ndërsa shton se kjo mbetet dhe në dëshirën e tyre.
“Mund të ketë ndonjë mangësi të përkohshme për ndonjë analizë por ajo menjëherë zëvendësohet. Nuk e lemë që të mos bëhet, nuk kemi lënë asnjë pacient pa i shërbyer. Ka shumë njerëz që preferojnë laboratorin privat, unë nuk mund t’ia diktoj. Ndërsa mund të dërgojmë për ndonjë analizë që momentalisht nuk e kemi por më vonë atë e zëvendësojmë”, tha zv/drejtori i spitalit Karalliu.
Kryerja e analizave pranë spitalit rajonal "Omer Nishani" do t'ua lehtësonte gjendjen të sëmurëve që paraqiten në këtë të fundit por njëherazi edhe në buxhetin e tyre financiar.