Gjirokastër/ Reshje intensive shiu, përroi i Çullos del nga shtrati! Inertet bllokojnë disa prej rrugëve të qytetit, izolohet lagjia 'Gërhot' (VIDEO)

10 Dhjetor 2022, 14:30| Përditesimi: 10 Dhjetor 2022, 23:05

  • Share

Në 24 orët e fundit ka pasur reshje  të dendura shiu në Gjirokastër, të cilat kanë bërë që përroi i Çullos në Gjirokastër të dalë nga shtrati dhe të izolojë lagjen 'Gërhot' ku jetojnë mbi 100 familje. Situata është rënduar pas reshjeve të dendura të shiut të cilat janë shtuar gjatë orëve të mbrëmjes së sotme.

Përroi i Çullos është një nga më të rrezikshmit që kanos gjysmën e qytetit nëse prurjet janë të shumta. Ndërkohë në disa prej rrugëve kryesore të qytetit është bllokuar qarkullimi për shkak të inerteve që vijnë si rrjedhojë e reshjeve të shumta të shiut.

Në vendngjarje janë paraqitur punonjës të Agjencisë së Pyjeve dhe Kullotave të cilët po marrin masat e duhura për normalizimin e situatës.

Ora 22:56
Reshjet e shumta të shiut bllokojnë qarkullimin në rrugët kryesore të Gjirokastrës, ‘Përroi i Çullos’ del nga shtrati dhe izolon lagjen 'Gërhot'

 

Është izoluar totalisht lagjia ‘Gërhot’ në Gjirokastër si pasojë e rënies së inerteve të nxjerra në sipërfaqe nga ‘Përroi i Çullos’ i cili ka dalë nga shtrati prej 12 orësh për shkak të tejfryrjes së tij  nga shirat e rrëmbyeshëm.

Bllokimi i rrugës kryesore dhe atyre të brendshme të qytetit, kanë bllokuar totalisht qarkullimin e automjeteve.

Ora 19:45
Rëndohet situata pas reshjeve të shiut në Gjirokastër, inertet 'mësyjnë' në rrugët e qytetit

 

Një situatë kritike paraqitet për shkak të shirave në Gjirokastër. Inertet kanë mësyrë në rrugët e brendshme të qytetit. Reshjet me intensitet të lartë, kanë shkaktuar probleme me përmbytjet në Gjirokastër. Unaza e qytetit që lidh pjesën veriore me lagjen Gërhot është e pushtuar nga rrjedhja e inerteve që vijnë me furi nga lartësitë e pjesës kodrinore me zhavorr pranë ‘Përroit të Çullos’.

Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave po ndërhyn në terren permes mjeteve te rënda si eskavatore për të pastruar zhavorrin që ka izoluar qarkullimin e mjeteve në këtë pjese të qytetit. Fadromat po punojnë me intensitet për pastrimin e rrugëve

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?