Gjirokastër- Spanja e kërkonte për kultivim të bimëve narkotike në shtëpi bari me llamba dhe vjedhje të energjisë, kapet me qëllim ekstradimin edhe personi i dytë i dosjes, që gjithashtu rrezikon deri në 6 vite burgim sipas Kodit Penal spanjoll.
I ndaluari është 39-vjeçari Elson Bena, banues në Gjirokastër dhe operacioni është koduar “Ëanted”.
Policia vendore konfirmoi operacionin ditën e sotme (25 korrik), teksa njoftoi edhe nisjen e procedurave të ekstradimit nga Interpol Tirana, për të cilin do të duhet edhe vlerësimi i masës nga Gjykata para se të kryhet.
“Si rezultat i punës operacionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Spanjës, u finalizua një tjetër fazë e operacionit “The Ëanted”. Gjatë saj, u lokalizua dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi E. B., 39 vjeç”, bëri me dije policia vendore.
Sipas dosjes hetimore, Gjykata e Sabadell në Spanjë, në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg", për kultivim të bimëve narkotike dhe për vjedhje të energjisë elektrike, vepra për të cilat në Kodin Penal të Spanjës, maksimumi i dënimit është 6 vjet burgim.
Po për të njëjtën dosje është arrestuar po sot në Golem të Kavajës edhe 54-vjeçarja Valjeta Beni. Nuk ka ende detaje për lidhjet shoqërore apo familjare mes dy të arrestuarve.
“Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë”, informoi policia vendore për rastin.
Komente
