Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari Dejvi Ahmeti, i cili u kap duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Në pranga është vënë dhe shtetasi pakistanez Hassan Raza që ndihmonte emigrantët, kundrejt pagesës, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Burimet raportojnë se emigrantët ishin të vendosur më parë në Kampin e Përgjithshëm të Konicës, i cili mbledh emigrantët e ardhur nga Siria, Pakistani dhe kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme.
Gazetari i Report Tv, Piro Nase bën me dije se Ahmeti dhe Raza kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe se 24-vjeçari Dejvi Ahmeti, u merrte 30 euro secilit prej tyre vetëm për t'i transportuar nga Përmeti në Tiranë, ku më pas do të ishte pika tjetër në Hanin e Hotit.
24-vjeçari Ahmeti banues në Korçë është kapur në flagrancë gjatë operacionit "Road Guard 73", në aksin rrugor Tre Urat-Përmet, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, kundrejt shumës 150 euro për person, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Sa për 33-vjeçarin Raza, sipas hetimeve ka rezultuar se ndihmonte emigrantët nga vendet e treta, kundrejt pagesës 100 euro për person, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.