Sociale

Gjirokastra turistike pa strehë për qentë e rrugës, kryebashkiaku: Tenderi dështoi disa herë

12 Prill, 15:06| Përditesimi: 12 Prill, 15:20

  • Share

Gjirokastra, ndër qytetet më të vizituara në vend, ku vetëm gjatë 2024-ës, mirëpriti 400 mijë turistë ende nuk e ka zgjidhur problemin e qenve të rrugës, të cilët duhet thënë se janë të shumtë në numër dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e banorëve e turistëve. Së fundmi raportohet një fenomen shqetësues; Helmimi i qenve përmes ushqimit.

Tregtari Mikel Sino, tregon se kanë ngordhur 4 qen në tregun e shumicës së fruta-perimeve. Ai ka bërë denoncim në polici, në AKU dhe Sektorin e Veterinarisë por nuk është marrë asnjë masë.

“Ne i mbajmë qente te pazari për të ruajtur biznesin. Unë nuk e di kush i helmon por është e thjeshtë për policinë. Të shkojë të shohë se nga del ky helm, te sekuestrojë kamerat e sigurise. Bashkia e ka për detyrë t’i mbledhë dhe t’i trajtojë. Kam bërë kallëzim penal në polici, duhet të zbardhet”, tha Sino.

‘Report TV’ kontaktoi me kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili tha se ky është një rast i izoluar për shkaqe ende të panjohura, teksa dënon aktin e rëndë të keqtrajtimit të kafshëve.

I pyetur përmes e-mail-it, nëse ka një strukturë për trajtimin e qenve, Golemi pranon se bashkia deri më sot nuk e ka ofruar të plotë sherbimin për vaksinimin, sterlizimin dhe kastrimin e tyre.

“Disa herë e kemi tenderuar këtë shërbim, por procesi nuk është finalizuar. Ne kemi hapur procedurën, s’ka pasur subjekte të interesuara për ta marrë përsipër ndonëse ne kemi shtuar edhe vlerën e fondit limit. Së fundi po konsiderojmë mundësinë për të financuar vetë ndërtimin e një qendre ku do të strehohen dhe vaksinohen qentë endacakë”.

Kryebashkiaku i Gjirokastrës thekson se do t’i japë zgjidhje kësaj problematike, pasi disa herë qentë kanë sulmuar njerëzit në rrugë. Situata të tilla kanë ndodhur edhe në pjesën e Pazarit, e populluar nga turistët e huaj dhe vizitorët vendas.
 

 

R.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?