Politikë

Gjithçka rreth zgjedhjeve të 25 prillit, nga shpërndarja e materialeve zgjedhore, votimi, numërimi deri tek shpallja e rezultatit

24 Prill 2021, 18:36| Përditesimi: 25 Prill 2021, 08:54

  • Share

Rreth 3.6 milionë shqiptarë kanë nesër të drejtën e votës për të zgjedhur forcën politike që do të qeverisë Shqipërinë katër vitet e ardhshme. Tre ditë para zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar në 92 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) materialet zgjedhore. KZAZ-ja, jo më vonë se 15 orë para hapjes së votimit, shpërndan materialet zgjedhore tek Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV), ku përfshihen kutinë me materialet zgjedhore, kutitë e votimit, lista e zgjedhësve, dhomat e fshehta, vulat me kodet e sigurisë etj. KZAZ-të dhe KQV-të kanë nga 7 anëtarë, të propozuar nga PS, PD dhe LSI. Në gjysmën e tyre PS-ja ka shumicën, pra 4 anëtarë, në gjysmën tjetër PD-LSI kanë shumicën.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Askush nuk mund të votojë pas orës 19:00, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes. Zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një kartë identiteti ose pasaportë. Votuesi firmos në listën e zgjedhësve anash emrit të tij, timbroset në dorën e majtë me një lëndë të posaçme, si shenjë që ka votuar, merr fletën dhe voton.

Pasi voton edhe zgjedhësi i fundit i pranishëm, KQV-ja merr vendim për mbylljen e votimit, duke plotësuar formularin përkatës. Kryetari, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve, mbyll në kutinë e materialeve zgjedhore, fletët e papërdorura, fletët e dëmtuara, listën e zgjedhësve, vulat, librin e protokollit të mbledhjeve etj.

Kutitë e votimit dhe kutia me materialet e votimit dorëzohen në Vendin e Numërimit të Votave sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 3 orë nga mbyllja e votimit në qendrën e votimit. Dërgimi i kutive të votimit nga qendra e votimit në grupin e numërimit bëhet me makinë, në të cilin ndodhen anëtarët e KQV dhe sekretari, si dhe një punonjës policie.

Një grup numërimi, numëron jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 10 qendra votimi. Grupet e numërimit përbëhen me nga 5 anëtarë, ku ruhet përkatësia politike. Fillimisht do të numërohen votat për partitë politike, për të nxjerrë sa më shpejt fituesin e zgjedhjeve, ndërsa më pas do të numërohen votat për kandidatët në listën e secilës parti politike. Fletët e votimit të stivuara numërohen nga numëruesi i parë, i cili, në përfundim të numërimit, ia bën të ditur shifrën anëtarëve të grupit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore

Procesi i numërimit vazhdon në mënyrë të pandërprerë deri në numërimin e të gjitha kutive. Në përfundim të numërimit të fletëve të votimit, numëruesi i parë, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të numërimit, plotëson tabelën e rezultateve për atë qendër votimi. Tabela rezultateve të votimit i dorëzohet menjëherë dorazi KZAZ-së. Një kopje dërgohet menjëherë në rrugë elektronike në KQZ. Ndërkaq, KQZ-ja i publikon në faqen e internetit menjëherë rezultatet zyrtare për çdo qendër votimi sapo i merr ato zyrtarisht nga KZAZ-ja. KQZ-ja verifikon dhe nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore për Kuvendin jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të zonës zgjedhore.

Çdo parti politike apo kandidat ka të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së. Kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e rezultatit, mund të paraqitet ankim po në KQZ jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e rezultatit. Kundër vendimeve të KQZ bëhet ankim në KAS dhe kundër KAS në Kolegjin Zgjedhor.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?