Pas gjashtë vjet bojkoti dhe katër muaj protestash radikale e sabotimi institucional (përfshirë një proces të tërë elektoral), lideri i opozitës Lulzim Basha siguron se tani e tutje lëvizja “Rama ik” kalon nga fjalët tek veprat (?!). Se çfarë kupton me këtë, nuk e tregon. Por ajo që është e qartë është se ai vazhdon të gënjejë. Në një postim në Facebook, duke shpallur kthesën revolucionare drejt aksionit, Basha, ndër të tjera, shkruan: ''Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje. Ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre. Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa", shkruan Basha.
Premtimin se ''shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje'' nuk e bën lideri i një lëvizjeje populiste, i sapoardhur në skenën politike, dhe që, për shkak të kësaj, është i lirë t’i premtojë popullit atë që dëshiron, pasi ende nuk e ka kaluar provën e qeverisë. Jo, si PD, ashtu edhe LSI kanë qenë bashkë në qeveri nga viti 2005 deri në 2013-ën (pa llogaritur vitet kur Berisha ka qeverisur si monark absolut nga viti 1992 deri në katastrofën e vitit 1997) dhe kështu që pyetja është e thjeshtë: po përse, meqë tani duket kaq e thjeshtë, PD dhe LSI nuk siguruan kamjen, lirinë dhe konkurencën e ndershme kur ishin ato në pushtet? Dhe përse, në qoftë se nuk e kanë bërë më parë, populli duhet t’u besojë sot? Kur politikanët premtojnë, ata duhet të kenë një histori të pastër prapa krahëve për të qenë të besueshëm. Është për këtë arsye që kjo opozitë sot është ende pakicë në vend.