Pasaportë serbe

Gjithnjë e më shumë pasaporta serbe për qytetarët rusë, prej fillimit të luftës Serbia dha 20 nënshtetësi

3 Shtator 2022, 17:25
  • Share

Nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia deri më 24 gusht, Qeveria e Serbisë u dha shtetësinë 29 shtetasve të Federatës Ruse - çfarë do të thotë 70 për qind më shumë se në 12 muajt e vitit të kaluar. Në mesin e tyre janë kryesisht sportistë dhe biznesmenë.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në anën tjetër, kanë rënë dakord të pezullojnë një marrëveshje për viza me Moskën, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt. Vendimi ua bën më të vështirë qytetarëve rusë hyrjen në bllok.

Shtetësia në Serbi jepet në bazë të një neni të Ligjit për shtetësinë, i cili i lejon Qeverisë të lëshojë pasaporta serbe për personat, “pranimi i të cilëve në shtetësinë e Republikës së Serbisë do të përfaqësonte interes për Republikën e Serbisë”.

Bazuar në këtë, Qeveria e Serbisë, vitin e kaluar, mori 53 vendime për dhënien e shtetësisë - prej tyre, 17 ishin për qytetarë rusë. Radio Evropa e Lirë nuk zbuloi persona në listën e sanksioneve, që morën pasaporta serbe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Alexey Shendrik, boksieri 19-vjeçar nga Moska, u bë shtetas i Serbisë në prill të këtij viti. Sipas shkrimeve në media, Shendrik është fitues i Kampionatit Evropian të Boksit 2020, si dhe kampion i shumëfishtë i Rusisë.

Në një deklaratë me shkrim për REL-in, Shendrik tha se procedura për marrjen e shtetësisë serbe ka qenë e shpejtë, pasi Federata e Boksit e Serbisë shprehu interesim për ardhjen e tij.

“Ka zgjatur rreth dy muaj”, tha ai dhe shtoi se, në të ardhmen, do të boksojë për kombëtaren e Serbisë.

“U regjistrova sepse Serbia është vendi ynë vëllazëror. Unë vërtet dua të fitoj tituj botërorë dhe medalje për vendin tuaj e tani edhe timin. E di që mund ta bëj”, tha Shendrik.

Ai nuk është sportisti i parë rus që merr nënshtetësinë serbe. Në vitet e kaluara, shumë sportistë nga Federata Ruse morën pasaporta serbe, e për të cilët Shërbimi i Ballkanit i REL-it ka raportuar.

Nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, atletët rusë përballen me ndalesa në të gjitha ngjarjet e rëndësishme evropiane dhe botërore. Sanksionet vlejnë për klubet dhe për përfaqësimin kombëtar të Rusisë.

Biznesmeni rus, Oleg Cherepanov, mori pasaportën serbe në fillim të gushtit të këtij viti. Nga viti 2008, Cherepanov është kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë “Forum Group” nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kompania merret me projekte banimi në ishullin artificial, Palm Jumeirah, në Dubai.

Siç thuhet në ueb-faqen e kësaj kompanie, Cherepanov është përgjegjës për menaxhimin e departamentit në Rusi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në vitin 2016, ai u zgjodh president i Federatës së Hokejit në Akull, në rajonin Sverdllovsk.

Në fund të korrikut, shtetësinë serbe e mori edhe një tjetër biznesmen rus, Arkady Mutavchi, ish-drejtor ekzekutiv i furnitorëve për Departamentin e Menaxhimit të Pronës së Kremlinit.

Në vitin 2020, emri i tij u përmend edhe në kompaninë “Tacticum investments” nga Luksemburgu. Kjo kompani merret me investime direkte dhe investime në letra me vlerë.

Në prill të vitit 2022, Qeveria e Serbisë i dha pasaportë edhe Vladimir Burdunit, shtetas rus, i cili, gjykuar nga postimet e tij në rrjetet sociale, jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas profilit të tij në Facebook, Burdun është president i Ligës së Hokejit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në ueb-faqen zyrtare të Ligës së Hokejit të Emirateve thuhet se faqja është në përpunim e sipër dhe nuk ka asnjë numër telefoni apo email. Sipas të dhënave në Facebook, Burdun është edhe pronar i revistës “Art media”.

Në rrjetet sociale, kjo revistë në gjuhën ruse ka qenë aktive për herë të fundit në janar të vitit 2021, ndërsa në ueb-faqen e saj zyrtare nuk mund të gjendet ndonjë gjurmë.

Darko Obradoviç, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka asnjë informacion se manjatët rusë apo personat e sanksionuar në Rusi e shohin Serbinë si “shtëpi të sigurt”.

Por, shton ai, publiku serb nuk është shumë në dijeni me strukturën e shtetasve të huaj që themelojnë kompani në Serbi dhe investojnë në këtë vend. Shtetësia nuk është kusht për këtë lloj qëndrimi dhe zyrtarët në Serbi refuzojnë të japin të dhëna për numrat e saktë të këtyre personave.

Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i luftës në Ukrainë e deri në qershor, në Serbi u hapën pak më shumë se një mijë kompani, në pronësi të rusëve.

“Për këtë duhet pasur kujdes, në mënyrë që Serbia të mos bjerë nesër në një pozitë të pakëndshme, nëse del që ndonjë nga shtetasit e saj të rinj është pjesë e ndonjë rrjeti të inteligjencës dhe sigurisë, ose është i njohur në vendet e tjera evropiane, dhe do ta shfrytëzojë shtetësinë serbe si mundësi për lëvizje të papenguar në Evropë”, thotë Obradoviç./REL

D.GJ/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 04/09/2022 09:31

    Të gjithë agjent dhe vrasës me pages…! Ky ështé balkani serborus i hapur, rus me shtetsi serbe janë duke ble vendoset më të mira të Shqipërisë, këtë punë është duke e ktyre me sukses për interesa serboruse Edvin shkjau shqipfolës. Për qdo ditë shqiptarët mbesin pa pronat e veta pa shtëpi e pa buk , për ta marrë dhen jasht vendlindjes. Këtë detyrë e ka tradhtia kombtare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?