Politikë

Kushtetuesja pezulloi dekretin për Tiranën/ Softa: Tani do duhet një i ri! Sula: Vendimi ishte i vonuar! Rada: Zgjedhjet mund të mbahen në maj të 2026-ës

9 Tetor, 22:16| Përditesimi: 9 Tetor, 23:38

  • Share

Gjykata Kushtetuese pezulloi sot dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakohshme të Tiranës, të cilat ishin caktuar më datë 9 nëntor. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi në GJK se dekreti i Begajt të shpallej i paligjshëm dhe të pezulloheshin zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Lidhur me këtë u diskutua edhe në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv mbrëmjen e sotme, ku eksperti i Sigurisë Fatjon Softa, tha se me këtë vendim zgjedhjet janë pezulluar dhe pa u shprehur GJK nuk mund të bëhet më asnjë veprim.

Softa theksoi se tashmë pas pezullimit do të duhet një dekret i ri për zgjedhjet në Tiranë.

 ‘Opozita në Këshillin Bashkiak e ka kërkuar shkarkimin e Veliajt dhe kjo nuk u vlerësua nga mazhoranca dhe vjen një moment dhe thuhet ta votoni që ta shkarkoni, pra është një vendim politikë. Fakti që lideri i qeverisë i thotë mblidhuni për ta shkarkuar, ata e shkarkuan politikisht, pse se bënë në korrik apo në gusht. Tani pa u shprehur GJK nuk mund të bësh asnjë lloj veprimi. Si mund të veprojë KQZ tani kur e ka të pezulluar tani datën e zgjedhjeve. Por unë them se duhet një dekret i ri’, tha ai.

Analisti Ardit Rada, tha se zgjedhjet e Tiranës nuk mund të mbahen më 9 nëntor. Sipas tij, ato mund të mbahen në maj të vitit 2026.

‘Ky vendim e zhbën procesin, kandidatët janë ata që janë dhe kanë kohë më shumë për tu përgatitur për zgjedhje, deri një vendim tjetër për zgjedhjet në Tiranë. Kushtetuta është mbi ligjin e qeverisjes së pushtetit vendor. Jemi para një precedenti që se kemi njohur më parë. Çfarë ndodh nëse shpallet i pavlefshëm shkarkimi i Veliajt nga GJK. Nëse GJK do të shprehej pas zgjedhjeve do të kishim një kryetar tjetër në krye të Tiranës. Zgjedhjet mund të mbahen në maj të vitit 2026, sepse është e pamundur që të bëhet fushatë në dimër. Të dyja palëve u intereson kjo sepse kanë më shumë kohë në dispozicion. Për mua ose duhet që të pezullohen zgjedhjet e parakohshme ose të hiqen kryebashkiakët’, tha ai.  

Ish- prokurori në Gjykatën e Rrethit Tiranë Kol Hysenaj, tha se presidenti nuk duhet që të nxirrte një dekret, sa kohë Veliaj kishte bërë ankimin në Kushtetuese.

‘Unë them se me këtë që ka bërë gjykata unë mendoj se nuk kemi president. Nuk mund ti lejohet presidentit që të nxjerr një dekret për zgjedhje kur është bërë ankim. GJK u vu në lëvizje për shkak të presionit të opinionit publik. Për mua vendimi i GJK është më se i drejtë. Unë mendoj se zgjedhjet do të bëhen në datën 9, këtë dekret vet KQZ mund të mos e njihte. Nuk është se Veliaj nuk ka dashur që të shkojë në zyrë. Dekreti i presidentit është në kundërshtim me ligjin, nuk duhet që të shpallte dekretin kur kishte një ankim. Unë them se do ta bëjnë nul dekretin sepse i gjithë procesi ndaj Veliajt ka qenë i paligjshëm. Fitore do të ishte që të mos i ndodhte ky proces në mënyrë të parregullt Veliajt’, tha ai.

Ish-deputeti i PD Dashnor Sula, tha se vendimi i Kushtetueses për pezullimin e zgjedhjeve ishte i vonuar, pasi sipas tij gjykata duhet që të ishte shprehur më herët.

‘Ankimi i Veliajt është bërë në fund të shtatorit pastaj pak ditë më pas doli dekreti i Begajt dhe GJK duhet që të kishte vepruar më para, por është vonuar. GJK duhet që të reagonte menjëherë. Për mua ky pezullim i interesonte opozitës e cila është e papërgatitur. Mazhoranca ishte e pregatitur dhe donte që të bëheshin sa më parë dhe punën e kanë nisur, ata shpallën edhe direkt kandidatin. Duan që të kenë një krye të bashkisë një njeri që do të udhëheq Tiranën. Por, të drejtat e Veliajt duhet që të respektohen, por GJK kishte mundësi që për një kohë të shpejtë duhet që të jepte një vendim sepse prova, ke një ankim dhe një dekret’, tha ai.

Ora 22:55
Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Eksperti i Sigurisë: Në Apel mungonte protokolli i sigurisë, ngjarja duhet të parandalohej

 

Për Ekspertin e Sigurisë Fatjon Softa, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit duhet që të ishte parandaluar.

Ai tha se më parë institucionet e drejtësisë ruheshin nga shteti.

‘Pse nuk u parandalua ngjarja sepse e vranë në vendin ku jepet drejtësia. Institucionet e drejtësisë ruhen me ligj, me VKM dhe me rregullore. Ligji i parë ai i ‘92, kur u ngrit një shërbim i veçantë që quhej policia e objekteve dhe e kishte të ndaluar që të merrej me detyra të tjera. Një repart ruante sistemin e drejtësisë, një repart ishte me sistemin bankar dhe tjetri për trupin diplomatik dhe ishin të specializuara dhe kjo me kohën humbi pastaj, sepse lindi edhe policia private dhe doli ligji për shërbimet private, por nuk mund që shteti të hiqte dorë. Ky nivel sigurie ka rënë. Mungonte protokolli i sigurisë në atë gjykatë, nuk ka një kontroll fizik ndaj personave që futen aty, ai mund të ketë armë, thikë ose solucion që mund ta përdor ndaj gjyqtarëve’, tha ai.

Ora 22:35
GJK rrëzoi dekretin e Begajt/ Avokati Përparim Çaça: KQZ tani pezullon çdo veprim për Tiranën, s'mund të ketë zgjedhje më 9 nëntor

 

Avokati Përparim Çaça, tha se pas vendimit të Kushtetueses, që pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj edhe KQZ do pezullojë çdo veprim për zgjedhjet në Tiranë.

‘Pas pezullimit nga Gjykata Kushtetuese për Tiranën duhet dekret i ri për zgjedhje, sepse KQZ pezullon çdo gjë dhe nuk organizon dot zgjedhje. Pavarsisht nga kjo edhe pse doli dekreti duhej që GJK ta bënte pezullimin, nuk bënë pezullim gjykata sepse në momentin që është bërë ankim nuk është e nevojshme dhe Veliaj kërkoi shpalljen e dekretit presidencial anikushtetues. Nuk mund të bëhen në datë 9 zgjedhjet, mund të bëhen më vonë, por jo në 9. Do të duhet që të dal një dekret i ri’, tha ai.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?