Ilir Meta

Kronikë

GJKKO e la në burg se mund të ‘helmojë’ hetimet, Ilir Meta ankimim në Apel: Cilët dëshmitarë do intimidoj? Shumica janë 'strehuar' te PS

25 Gusht, 11:03| Përditesimi: 25 Gusht, 11:52

  • Share

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e Shkallës së Parë, e cila rrëzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë me argumentin se pozita e tij është rënduar me marrjen zyrtarisht të pandehur dhe se ekziston rreziku se ai mund të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët.

Në kërkesën e depozituar nga mbrojtja e ish-presidentit thuhet se rreziku i prishjes së provave është një alibi sesa një arsyetim korrekt, duke thënë se me mbylljen e hetimeve ‘helmimi i provave’ është i pamundur. Ndërsa argumentin se mund të intimidojë dëshmitarët, Meta e konsideron si një lajthitje, sepse sipas tij, ‘dëshmitarët i kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe ato janë të pasqyruara në vendimin e përfundimit të hetimeve’.

Meta thotë se shumica e personave që janë marrë në pyetje si dëshmitarë janë larguar prej kohësh nga Partia e Lirisë dhe se kanë gjetur ‘strehë’ te PS,  dhe nuk ka asnjë mundësi për kërcënime apo shantazhe.  Meta duket se i referohet Endrit Braimllari, i cili është bashkuar PS-së, dhe është marrë disa herë në pyetje nga SPAK për kontratën e lobimit të LSI-së. 

"Shumica e personave që janë pyetur nga organi i procedurës si dëshmitarë prej shumë kohësh janë larguar prej kësaj partie dhe kanë gjetur strehë tek partia në pushtet që kontrollon gjithë institucionet dhe të gjithë, dikush është zgjedhur kryetar bashkie nën siglën e Partisë Socialiste, dikush kandidat për deputet te Partia Socialiste, dikush në administratën publike, dikush në administratën e bashkisë etj", thuhet në reagim. 

Sa i përket arsyetimit për pozitën e rënduar, mbrojtja e Metës thotë se ‘zbutja e nevojave nuk kërkon domosdoshmërisht rënien e akuzave’. Akuzon gjithashtu gjyqtarin Erjon Çela se ka krijuar një precedent të rrezikshëm dhe është treguar paragjykues, duke dhënë ‘fajësinë’ për akuzat që rëndojnë mbi të dhe duke harruar se po shqyrton një kërkesë për ndryshim mase sigurie.

“Gjyqtari në vendimin e tij ka krijuar një precedent të rrezikshëm, duke analizuar se prokuroria e akuzon ish presidentin për tre vepra penale të “rënda” çka nënkupton se ai paragjykon çështjen duke harruar se është duke shqyrtuar kërkesën për zëvendësim mase dhe jo themelin e saj për të vërtetuar nëse akuzat qëndrojnë apo jo dhe se ato janë të rënda. Gjyqtari në vendimin e tij ka dalë jashtë objektit të kërkesës, dhe ai në qëndrimin tonë ka cenuar rëndë institucuionin e prezumimit të pafajësisë.”, thuhet në shkresë.

“Pretendimi se i pandehuri është një person influent dhe kryetar duke akuzuar fare hapur se mund të sajojë prova dokumentare nuk është arsyetim ligjor nga gjykata, por një paragjykim me nuancë akuze për ish presidentin Ilir Meta. Me këtë arsyetim gjyqtari është vetë dekonspiruar si një gjyqtar që vetëm i paanshëm dhe objektiv nuk und të jetë, por si edhe ndodhi e kthye në një gjyqtar paragjykues. Se nga buron ky paragjykim i hapur deri mund të themi një lloj urrejtjeje personale, mendojmë se këtë shpjegim që vetëm gjyqtari mund ta japë.", thuhet më tej. 

Në fillim të gushtit, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës dhe të pandehurve të tjerë mbylljen e hetimeve. Ish-presidenti së bashku me ish bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plote)

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?