GJKKO hodhi poshtë pretendimet e Berishës, Galdini: Ish-kryeministri do hyjë në ‘vrimën e gjilpërës’! Logu: Prokurorët e SPAK të jenë më prezentë në publik

10 Janar, 21:43| Përditesimi: 10 Janar, 23:05

  • Share

Mbrëmjen e sotme (10 janar) në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua vendimi i zbardhur i GJKKO-së për ashpërsimin e masës së sigurisë për Sali Berishën i cili akuzohet për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.

Në vendimin e zbardhur Gjykata e Posaçme, përveç argumenteve të tjera mbi masën e arrestit për ish-kryeministrin, hedh poshtë pretendimet e Berishës për përndjekje politike ndaj tij.

Kreu i Lëvizjes së Re, Arian Galdini u shpreh se Sali Berisha do të kthehet në shembull për politikanët e tjerë në mënyrë që askush prej tyre të mos mendojë se mund t’i vendosë barrierë gjykatës dhe të mos e lejojnë të bëjë punën e saj.

“Kam paralajmëruar se Berisha jo vetëm që do kalojë në vrimën e gjilpërës por pavarësisht taktikave për ta ndotur me ushqim politik atë që po ndodh ndaj tij, nuk ka qare pa kaluar përmes procesit të drejtësisë.  Gjykata nuk po lejon një politikan që të vendosë politikën si barrierë që ajo të bëjë punën e saj. Jurisprudenca ka edhe një element vendimmarrje, filozofi e së drejtës. Kemi edhe këtë element në argumentimin e gjykatës. Rasti Berisha do kthehet në një shembull që askush të mos e diskutojë se ballafaqimi me gjykatën është kalimi në vrimën e gjilpërës ku të gjithë politikanët do të kalojnë. Bën mirë gjykata që përballet me këto pretendime”- tha Galdini.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Besart Logu duke komentuar edhe arsyetimin e gjykatës që sqaronte se vendimi ndaj Berishës nuk është përndjekje politike, tha se edhe prokurorët e SPAK duhet të jenë më shumë prezentë në publik me deklarata shtypi për të sqaruar interesin publik. Sipas tij, gjykata ka bërë mirë që i është përgjigjur pretendimit të Berishës për përndjekje politike.

“Më duket si vendim shumë korrekt i gjykatës. E konsideron Berishën si subjekt nën hetim. Nëse do kemi parasysh, Gjokutaj në cilësinë e avokatit ka mbajtur një qëndrim që ka tejkaluar aspektin ligjor. Unë e kam më shumë me SPAK sesa me GJKKO. Prokurorët duhet të jenë më prezent në publik. Nëse ka institucion që është i goditur sot, është SPAK dhe GJKKO. Zyra e shtypit duhet të jetë më prezente sa i përket mbrojtjes së interesit publik. Gjykata e ka me ligj të përgjigjet çdo pretendimi”- tha Logu.

Avokati Përparim Caca tha se gjykata nuk ka pse t’i përgjigjet pretendimeve politike të Berishës. Ndërsa sa i takon diskutimit nëse Berisha po shkel masën e GJKKO për të mos komunikuar me persona jo-familjarë duke folur nga ballkoni i banesës, tha se ish-kryeministri është ende deputet dhe i lejohet komunikimi publik me zgjedhësit.

“Kjo është një mënyrë sesi duhet të zbatohet masa. Është tagri i gjykatës por jo masë më vete. Në kuptimin e interpretimit nëse cënohet masa duke mos zbatuar këtë lloj kushti, është për t’u parë.  Sa i përket klauzolës së moskomunikimit. Esdhe vetë gjykata e ka cilësuar se këtu mund të shkelet neni 10 i Konventës Europiane që ka të bëjë me lirinë e shprehjes.  Mos harroni që Berisha është ende deputet dhe si i tillë do duhet të komunikojë me zgjedhësit e tij. Bën me ta një komunikim publik. Nuk besoj se do ketë ashpërsim mase. Me këtë lloj zbatimi të masës do jetë interesant vendimi i gjykatës së Apelit”- u shpreh Caca.

Ish-deputeti Arben Meçaj sa i takon pretendimeve të Berishës për përndjekje politike tha se GJKKO e ka marrë vendimin për ashpërsimin e masës së sigurisë vetëm për faktin se ish-kryeministri nuk zbatoi masën e caktuar më herët.

Ora 22:02
Meçaj ironizon militantët poshtë ballkonit të Berishës: E kanë lënë të flasë me vete, ja pse të gjithë e mbajnë kokën ulur

 

Ish-deputeti Arben Meçaj ironizoi Sali Berishën dhe militantët që mblidhen poshtë ballkonit të banesës së tij nga ku ai mban fjalim edhe pse në arrest shtëpie.

Meçaj i ftuar në studion e ‘Repolitix’ në Report Tv tha se ndryshe nga ditët e para, militantët e Berishës nuk e ngrenë më kokën për ta parë atë teksa flet pasi frikësohen se mos kontakti me sy shkel masën e GJKKO për mos-lejimin e komunikimit me persona jofamiljarë.

“Sipas kodit penal është gjykata që ka tagër për të përcaktuar modalitetet e masës së arrestit. Më bëri përshtypje deri para 4 ditësh, komunikimi ishte gjithë kokën sipër dhe shihnin Berishën a thua se është Mesia.  Në gjithë besimet fetare gjithë ikonat i kanë sytë drejt zotit, sot i kanë të gjithë kokën poshtë. Ata që janë poshtë nuk sheh asnjë lart. Sepse sot filloi debati i madh.  Kur ky flet me ata, i bie që komunikon me ta apo ky flet me vete. Këta njerëz e ndërprenë këtë pjesën e komunikimit? Ky mekanizëm fizik i kontaktit sy më sy interpretohet si komunikim në jurisprudencë. Nga sot nuk do kemi më kontakt sy më sy”- tha Meçaj.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?