GJKKO ka marrë vendimin për ti kthyer makinën e sekuestruar Klea Gjatës, të dashurës së Laert Haxhisë, raporton gazetarja e Report Tv Keti Banushi. Gjithashtu edhe masa e sigurisë ndaj Gjatës është ndryshuar, nga ‘arrest në burg’ në ‘detyrim paraqitje’.
Klea Gjata u arrestua në kuadër të megaoperacionit ‘Kurrë mos harro’ që çoi në pranga 12 persona të grupit kriminal të Laert Haxhisë pjesë e së cilës ishte dhe e dashura e tij.
Makina e sekuestruar më 1 tetor 2023, që iu rikthye Gjatës ishte në emër të nënës së saj.
“Kurrë mos harro” është megaoperacioni që çoi në pranga 12 persona, 4 në kërkim që akuzohen për 6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh.
Policia e Shtetit i zbardhi këto krime falë të penduarit, Artan Tafani, 39-vjeçari anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares.