TIRANË- Gjykata e Posaçme e ka caktuar sot (21 shkurt) masën ‘arrest me burg’ për Petrit Lakatos, administratorin e biznesit të vëllezërve Çopja në Elbasan.
Ai ndalua tre ditë më parë (18 shkurt), si pjesë e grupit të vëllezërve Hajdar e Franc Çopja.
Lakatos dyshohet se pastronte paratë e organizatës kriminale, teksa SPAK njoftoi se kishte sekuestruar edhe kompaninë “Solis Farm”, një pikë agroturizmi në Mumajes të Baldushkut, në Tiranë, godinën dhe sipërfaqen e tokës në të cilën ky operator ekonomik ushtron aktivitetin.
Godina në fjalë përbëhet nga dy kate, kati i parë nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj., dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.
Në sekuestro janë vënë edhe pajisje e ambiente ndihmëse për aktivitetin e shërbimeve. Po ashtu, gjatë kontrollit personal ndaj Petrit Lakatos u gjetën dhe u sekuestruan 2940 euro, 203 mijë lekë të rinj, orë e markës luksoze ‘Rolex’, një varëse floriri me 3 diamante dhe 4 telefonë.
Vetëm një muaj më parë krerëve të organizatës kriminale të Çopjave, mes dhjetëra pasurive, SPAK u sekuestroi edhe 10 milionë $ në kripto, në bashkëpunim me policitë e disa shteteve, ku ata dyshohet se vepronin me trafikun e kokainës dhe pagesat i bënin me monedha virtuale.
Vendimi për sekuestrot është firmosur më datë 18 shkurt 2025 dhe po në të njëjtën ditë është arrestuar edhe administratori i ‘Solis Farm’, Petrit Lakatos për tre akuza; “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “organizata kriminale” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Komente
