'Gjoba dhe mbyllje aktiviteti'/ Drejtoria e Transportit paralajmëron autoshkollat që nuk respektojnë protokollin e sigurisë

26 Maj 2020, 16:21| Përditesimi: 26 Maj 2020, 17:21

  • Share

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor paralajmëron të gjitha autoshkollat se do të gjobiten, dhe do t’iu mbyllet aktiviteti nëse nuk zbatojnë masat anti- COVID-19. Aktualisht DPSHTRR po bën monitorime në terren sa i takon zbatueshmërisë së masave. Autoshkollat janë hapur në dy faza, pasi teoria për aplikantët ka nisur më 11 maj, ndërsa praktika më 18 maj. Autoshkollat duhet të respektojnë protokollin e sigurisë dhe nuk do të lejojnë më shumë se një kursant në makinë.

“Zbatimi i masave anti-Covid19 nga ana e Autoshkollave është detyrim ligjor! DPSHTRR dhe Task-Forca e Transportit Rrugor vijon monitorimin dhe kontrollet në klasa e në procesin mësimor që ka rinisur nga dt. 11.05! Nuk do donim kthim mbrapa ndaj disiplina, kujdesi, serioziteti në mbrojtjen e aplikantëve dhe personelit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën dhe vijimin e aktivitetit ekonomik të këtij sektori! Çdo mangësi apo pakujdesi do jetë subjekt penalizimesh edhe nga Njësia Operacionale Anti-Covid (Task-Forca ndërinstitucionale) dhe Policia e Shtetit!”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

Gjatë teorisë duhet të respektohet distanca e sigurisë mbi 1.5 metra si dhe duhet të respektohet, higjiena sikurse edhe në seancat online.  Ndërsa faza e dytë që nisi nga 18 Maji që kishte të bënte me instruksionin në rrugë u përcaktua se nuk do të lejohej më shumë se 1 praktikant në kabinë përveç rasteve kur janë familjar. Edhe pjesa e praktikës do të zhvillohet nën masa sigurie  pasi të gjithë duhet të pajisen me maska, doreza, matje temperature e dezinfektant.I gjithë ky proces do të monitorohet hap pas hapi për zbatimin e protokolleve të posaçme të sektorit të kualifikimeve për Leje Drejtimi, nga DPSHTRR - Njësia Operacionale Anti-Covid.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?