Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i vendosur kompanisë Google një gjobë rekord prej 3.5 miliardë dollarësh.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e quajti vendimin “të padrejtë” dhe paralajmëroi kundërpasoja të forta.
“Sot, Evropa goditi një tjetër kompani të madhe amerikane, Google, me një gjobë prej 3.5 miliardë dollarësh, duke vjedhur në mënyrë efektive para që përndryshe do të kishin shkuar në investime dhe vende pune amerikane,” shkroi ai.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi BE-në për “sulme të përsëritura” ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane, duke përmendur jo vetëm Google, por edhe kompani të tjera të Silicon Valley.
“Vërtet e padrejtë, dhe taksapaguesi amerikan nuk do ta tolerojë këtë,” theksoi Trump.
Më tej, ai paralajmëroi se SHBA mund të nisë procedurën e Seksionit 301, një ligj që i lejon Uashingtonit të vendosë tarifa doganore ndëshkuese kundër vendeve që aplikojnë masa të konsideruara si diskriminuese ndaj bizneseve amerikane.
“Ne nuk mund ta lejojmë që kjo t’i ndodhë zgjuarsisë së shkëlqyer të Amerikës. Nëse ndodh, unë do të detyrohem të filloj një procedurë të Seksionit 301 për të përmbysur sanksionet e padrejta të vendosura ndaj këtyre kompanive amerikane”, përfundoi ai.
Komente
