Jam njohur me veprën madhore të Gjon Kolë Kujxhisë më 1994, kur shkruaja doktoratën në Leeds, tema e së cilës ishte kënga qytetare shqiptare ku natyrisht kënga e ahengut shkodran zinte vend parësor. Dija diçka për Kujxhinë edhe përpara viteve 1990, këto prej Ramadan Sokolit, por që aso kohe nuk është se merresha me muzikologji e aq më tepër me etnomuzikologji. Më vonë, gjatë shkrimit të doktoratës sime, Albert Paparisto më foli gjatë për Gjon Kolë Kujxhinë. Ishte viti 1997. Me gjithë turbullirat shoqërore të kohës, shtëpia e Albertit në Tiranë ishte për mua një oazë paqeje dhe diturie.
Familjen Alberti e kishte në Amerikë, kështu që ishim krejt të qetë të bisedonim gjatë duke e ndërprerë vetëm me ndonjë sallatë në kohën e drekës që e përgatiste aty për aty, gjithnjë në rrëfim e sipër. Albertin dukej ta tërhiqte së tepërmi ‘çështja Kujxhija’ që lidhesh me Parathanje-n e librit Valle Kombëtare, ku Kujxhija shpaloste mendime nga më personalet që kishin të bënin me etnosin iliro-shqiptar dhe që këtë e lidhte me muzikën e kësaj popullsie të lashtë. Veçanërisht befasuese për mua ishte argumentimi që Alberti i bënte tezës së Kujxhisë lidhur me marrëdhëniet në kuartë gjatë këndimit antifonal të burrave dhe grave ‘kurdoherë për fejesë e martesë, edhe në shregull’.
Shtjellimi i Kujxhisë në libër, falë transkriptimit në nota që ai kishte bërë të marra drejtpërdrejt nga goja e bartësve të këtij repertori, për Albertin ishte një gjetje, një klasifikim i disiplinës muzikologjike krejt i veçantë për një të ri shqiptar, një argumentim i arritur përmes leximesh librash e traktatesh. Pra, ky ishte Kujxhija në fillim të njëzetave të tij, me këmbënguljen dhe aftësinë e mbledhësit në terren të këngëve dhe më pas të notëzuesit.
Në valën e përftimit të lëndës muzikologjike përmes akumulimit teorik, Kujxhija sa vinte e përforconte bindjet e tij personale për t’i mishëruar në qenien e tij me prirjen e dëshirën, sipas Kolë Ashtës, të një ‘iliri të ndezun’. Vlen të shënohet këtu se një pjesë e mirë e dokumenteve mbi Kujxhinë arritën të ruhen vetëm jashtë Shqipërisë, në ShBA, ku i vëllai i Gjonit, Angjelini, i cili nuk e pa Shqipërinë që prej vitit 1944 e deri në fillim të viteve 1990, kur dhe i solli materialet e vyera për t’ia treguar familjarëve. Gjatë viteve 1940 Angjelini studionte në Austri dhe pas vdekjes së Gjonit më 1943 e ndjeu si detyrim të shkonte në Venecia dhe të kërkonte ato që ishin lënë pas nga Gjoni.
Duke e parë lidhjen e fortë të edukimit dhe atë shpirtërore të Kujxhisë me qytetin e tij amtar, Shkodrën, e pashë të udhës që në Hyrjen e këtij libri të shtjelloj disa momente mbi muzikën dhe muzikantët e këtij qyteti si për të bërë një panoramë mbi traditën e lashtë kombëtare që e karakterizonte këtë qytet ndër shekuj. Më tej në këtë libër mbi Kujxhinë, pas materialeve të shkruara, do të përfshihet vepra e plotë muzikore e tij e botuar në Firence vetëm tre muaj përpara se ai të humbte jetën në këtë qytet.
Shënimet e mija në libër bashkë me shkrimet e personaliteteve muzikorë e letrarë do të renditen kronologjikisht sipas datave të botimit a shkrimit, përfshirë edhe poezitë apo material tjetër i skanuar. Jo i gjithë materiali është dixhitalizuar pasi e kam parë të arsyeshme që disa shkrime dore, programe apo dhe të dy librat e Kujxhisë, njëri i botuar dhe tjetri i pabotuar, të ruajnë origjinalitetin e kohës.
Gjon Kolë Kujxhija
Sipas Ernest Koliqit e Tonin Harapit, Gjon Kolë Kujxhija u lind në Shkodër më 11 maj 1920. Familja e Kolë Kujxhisë përbëhej nga pesë djem dhe dy vajza. Prirja muzikore Gjonit iu shfaq që në moshë të njomë. Sipas Tonin Zadesë, shtëpia e Kolës, të atit të Gjonit, ishte ‘skena e parë ku vëllezërit, motrat dhe bashkëmoshatarët e familjeve fqinjë me ta, këndonin dhe recitonin’ (T. Zadeja, ‘Në 60 vjetorin …’, 1993). Ndërsa Injac Kujxhija, vëllai i Gjonit, kujton përmes fjalës së tij me rastin e 55 vjetorit të vdekjes së Gjonit: ‘Ishte orkestrina familjare e formuem nga vllaznit: Ndoc, Gjon e Lin së bashku me kushrinin tonë, muzikantin popullor, Rud Gurashi, që formojshin orkestrinën mandolinatë.
Ndër raste datëlindjesh e emnash, u mblidhin të gjithë në shtëpinë tonë, e aty me kangë të bukura familjare, e me pjesë nga melodramat e kompozitorit të talentuem Dom Mikel Koliqi e klasike, shpërthente entuzjazmi i të gjithvet. Mandej ky grup do tu kthente në kor serenatë, tue përcjellë nëpër shtëpija miqt e ftuem. Dhe kangët nga Schubert-i, si Serenata etj., e ‘Va pensiero’ të Verdit, ushtojshin armonishëm nëpër rrugët e zbrazta të qytetit.
Kje Gjoni që me anë të disqeve na njofti me muzikantat e mëdhaj botnor si: Bach, Händel, Mozart, Beethoven, Schubert, Verdi etj’. Grupit familjar të Kujxhijave iu shtuan më vonë edhe djem dhe vajza të lagjes Gjuhadol, lagje kjo e mirënjohur e Shkodrës. Në këto argëtime ku fëmijët e të rriturit luanin në instrumente e këndonin në kore nën meloditë e valleve të kënduara të martesës e të shregullave, Gjoni mjaft natyrshëm vihej në rolin e organizuesit së ‘shfaqjeve’, të cilat shpërbleheshin me duartrokitjet e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës. Gjoni ‘këndonte shumë bukur si solist e ndër kore, si bas, luante në teatër dhe merrte pjesë në orkestrina me kitarë’ (Harapi, ‘Jeta e Re’, 1991).
Arsimimi ‘Pas shkollës fillore, Gjon Kujxhija vazhdon mësimet pranë liceut “Illyricum” të Etënvet Françeskanë. Që në klasat a para të këtij liceu ai tërheq vëmendjen e kompozitorit, organizatorit dhe drejtuesit të shquar të veprimtarive muzikore në qytetin e Shkodrës, Atë Martin Gjoka’ (Tonin Zadeja, ‘Në 60 vjetorin …’, 1993). Pra, krahas mësimeve të përgjithshme në gjimnaz, Gjoni i kushtonte një kohë të mirë thellimit të njohurive të tij me mësimet bazë të muzikës, gjë që e bënte qoftë në mënyrë autodidakte apo dhe ‘si korist dhe instrumentist dhe, më pas, edhe si aktor në Shoqërinë Antonjane’ (Tonin Zadeja, ‘Në 60 vjetorin …’, 1993). ‘Pas mbarimit të shkollës së mesme (1939) shkoi për studime në konservatorin ‘Luixhi Kerubini’ në Firence’ (Harapi, ‘Jeta e re’, 1991).
Në trashëgiminë dhe vazhdimësinë e pandërprerë të një kulture, si ajo e Shkodrës, nuk mund të flitet për koincidenca; i tillë është fakti që ‘aty nën drejtimin dashamirës të muzicistit të shquem At Martin Gjoka, [Gjoni] përparoi shpejt e mirë si në përdorim të veglavet muzikore ashtu në teorína të muzikologjís’—shkruante Ernest Koliqi në ‘Shêjzat’ më 1963. Atë Martin Gjoka, mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë, që të gjithë e dimë që kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar.
Ky ishte dhe fati i Gjonit. Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër ndjehem i privilegjuar që kam mundur të shijoj i pari nëpërmjet drejtimit të orkestrës, ngrohtësinë, përzemërsinë e thjeshtësinë e simfonisë Gjokës, ‘Dy lule mbi vorr të Skanderbegut’. Ky ishte pra burimi, apo më mirë At Martini me orkestrën frymore të tij do të bëheshin frymëzimi nga ku Gjoni do të merrte eksperiencën e parë si muzikant dhe më pas rrugën drejt Firences për të studiuar në konservatorin ‘Cherubini’ të atij qyteti të artit.
Nuk mund të lihet pa përmendur që në Shkodër ishte dhe poeti dhe folkloristi i shquar, Atë Bernardin Palaj, i cili bashkautor me Atë Donat Kurtin, bëhen përpiluesit e veprës së mirënjohur ‘Visaret e Kombit’, vëllimi II (Kangë kreshnikësh dhe Legjenda) dhe që Koliqi e përshkruan Palajn si ‘frati gjenjal i depertuem në sekretet mâ të thella të muzikës e të poezís’ (Koliqi, ‘Shêjzat’, 1963). Koliqi shton po aty se Atë Palaj ‘sigurisht e udhëzoi [Gjonin] kah vleftësimi i motiveve popullore dhe ia zgjânoi horizontet artistike me at enthuziazëm të ndritun qi edhe atê vetë e pushtonte si para zânit të dalun nga msheftësít e zêmres së popullit ashtu para kryeveprave të muzicistave të mëdhej botnorë’ (Koliqi, ‘Shêjzat’, 1963).
Studimet e Gjonit u prenë në mes nga një bombardim ajror që përfshiu edhe shtëpinë ku ai banonte e shkruante veprat e tij muzikore. Ishte kjo ngjarje që shënoi ditën fatale të 25 shtatorit 1943. Nëntë muaj më pas, Kolë Ashta do të kujtonte: ‘Në një ças iu mbush mendja me shkue kah shtëpija për të krye nji punim muzikuer. Shokët iu lutne që të rrinte me ta. Nuk ndëgjoi. Por sa kishte çelë pentagramat ulurijti kushtrimi ajruer. Edhe këtu iu lutne njerzit e shtëpis. Nuk ndëgjoi të zbresi në strehim me ta’ (Ashta, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944). Ndërsa Koliqi 20 vjet më vonë do të kumtonte se ‘muzicisti shkodran Gjon K. Kujxhija qi në lule të rinís dhe në vlug të fuqive krijuese vdiq tue pasë moshën njizetrivjeçare në bombardimin qi pësoi Firenze me 25 shtatuer 1943’ (Koliqi, ‘Shêjzat’, 1963). U ndërprenë vitet studenteske të Gjonit, u ndërpre muza e tij djaloshare, për t’u zëvendësuar me veprën e tij të pashembullt, të papërsëritshme, unikale në historinë e muzikologjisë shqiptare.
Hulumtimi dhe vepra Në 1943 Gjon Kujxhija botoi në Firenze librin Valle Kombëtare (Dasëm Shkodrane), vepër kjo krejt e përveçme edhe për ditët e sotme të valleve të kënduara të dasmës shkodrane. Mustafa Krantja në artikullin e tij ‘Valle Shkodrane’ të 26 korrikut 1944 e paraqet kështu librin e Kujxhisë: ‘Libri ndahet në tri pjesë: në fillim nji parathanje shumë e mirë në të cilën auktori shoshitë probleme me randësi të madhe të muzikës s’onë.
Pjesa e dytë përmban një spjegim të hollësishëm të zakoneve të fejesës e martesës në gjindjen katolike të Shkodrës. Vallet qi titullojnë librin janë rrjeshtue në pjesën e tretë të tij’ (Krantja, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944). Pra, ashtu siç e vë në dukje edhe Krantja, Parathënia përmban shtjellimin teorik të lëndës, i cili përshkohet nga erudicioni i gjerë e guximi i shtrimit të tezave me synimin për të paraqitur një vepër thellësisht kombëtare, si për të përforcuar gjenezën e shqiptarit të hershëm, apo siç pohon Kolë Ashta se Gjoni ‘gjatë bisedës u mundonte me e lidhë mendimin me emnin Ilirí’ (Ashta, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944). ‘Dokët, Fejesa—Martesa’ është pjesa e dytë teorike e librit, ajo që pason Parathanje-n, ku jepen 115 shpjegime mbi këto rituale të hershme vendore.
Pas këtyre dy pjesëve të shkruara teorike, vjen notëzimi i 52 valleve të kënduara bashkë me tekstin e tyre poetik që është i vendosur nën nota, ashtu siç është e rregullt të bëhet, por teksti jepet edhe në formën e një vjershe të shkruar më poshtë ku shihet qartë rima, rrokëzimi dhe natyra e vargut. Në fund të faqes vihet dhe shënimi se ku dhe kur këndohet vallja. Ja disa shembuj: ‘Me ket valle fillon rituali i martesës. Këndohet kah djali t’ejten paradite’; ‘Kurdoherë për fejesë dhe martesë. Edhe në shregull’; ‘Me ket melodi edhe vjerrsha tjetër’; ‘Kah djali kurdoherë para marteset’. Të këtilla shënime jepen në fund të çdo valleje të kënduar.
Që prej viteve të Shkodrës për të vijuar me ato të Firences, Kujxhija ishte në procesin e krijimit e një vetëdije personale, e cila bazohej e konsolidohej nga burime të ndryshme, të shkruara dhe gojore, duke i dhënë atij gjithnjë e më tepër siguri për t’i hedhur në letër në ato që ai besonte. Parësorja e kësaj vetëdije ishte e të qenit autokton në këtë dhé, prejardhës i iliro-trakasve, ‘pjestarë të familjës së madhe indo-europjane [që] i përkasim prendimit, por tue mos lanë m’anësh pozitën geografike t’onën, dhe sidomos historinë’ (Kujxhija, Parathanje, VIII).
Në një artikull tek ‘Bashkimi i Kombit’ më 12 shtator 1944, artikullshkruesi me pseudonimin ‘O’ do të nënvizonte se Kujxhija ‘asht i mendimit se, sikur gjuha, gjaku, doket janë ruejtë të pastërta ndër ato male qysh prej të parve ilirtrakës, edhe muzika asht mbajt e paprekun’. Një shpjegim më të detajshëm mbi këtë muzikë të ‘paprekun’ e jep edhe Robert Prennushi në shkrimin e tij ‘Një thesar i ruejtun e i trashiguem i pastër për pesë shekuj, “Valle Kombëtare”, nga Gjon Kolë Kujxhija’.
Pozitën gjeografike të Shqipërisë si ‘nji urë kalimi qi ka bashkue prendimin me lindjen’, Kujxhija e sheh të reflektuar edhe në muzikën kombëtare dhe, siç njihen më gjerësisht, në vallet e kënduara të dasmës shkodrane, ku mashkulloren me femroren, maxhoren me minoren, të gëzueshmen me mistiken, i gjen si ‘shprehje kjo e vërtetë e shpirtit të rracës s’onë’ (Kujxhija, Parathanje, VIII). Ai nënvizon një fakt që shumëkush në praktikën e këtyre valleve të kënduara mund të ndjejë aromën e freskët e të këndshme të tyre, kënaqësinë që përftohet nga thjeshtësia e bukuria e tyre, por që jo shumëkujt i shkon në mendje të dallojë ‘se gadi të gjitha këto melodí fillojnë në “magjore”, por të gjitha pa përjashtim do të mbarojnë në “minore”.
Kjo âsht nji tjetër karakteristikë e këtyne valleve’—do të shpjegohej Kujxhija në faqen VIII të Parathanje-s së tij. Këto lloj vrojtimesh muzikologjike të një djali në fillim të të njëzetave të tij, bënin fjalë për një hulumtues të vëmendshsëm, njohës të repertorit të valleve të kënduara të dasmës së qytetit dhe bashkësisë së tij, për një të apasionuar thellësisht ndaj ‘jonsìve/melodìve’ me të cilat Gjoni ishte ushqyer.
Kujxhija që në faqen e parë të Parathanje-s së tij do të shpaloste njohuritë që ai kishte për muzikën në Shkodër, etapat që ajo kishte kaluar ndër shekuj. Ishin njohuri këto të marra nga shkodranë eruditë, njëri nga të cilët ishte ‘folkloristi i njoftun dhe muzikanti i vlerët P. Bernardin Palaj’—siç e konsideronte këtë personalitet shkodran Gjon Kujxhija. Edhe Ernest Koliqi ia njihte këtë ‘dobësi’ të Kujxhisë për Palajn kur në përvjetorin e njëzetë të vdekjes do ta përkujtonte atë mes të tjerash me këto fjalë: ‘Flitte me bindim t’evarshëm për At Bernardin Palaj, frati gjenjal i depertuem në sekretet mâ të thella të muzikës e të poezís.
Benardini sigurisht e udhëzoi kah vleftësimi i motiveve popullore dhe ia zgjânoi horizontet artistike me at enthuziazëm të ndritun qi edhe atê vetë e pushtonte si para zânit të dalun nga msheftësít e zêmres së popullit ashtu para kryeveprave të muzicistave të mëdhej botnorë (Koliqi, Shejzat, 1963). I mbrujtur me këto njohuri, ja se si Kujxhija i kishte mishëruar etapat e muzikës në Shkodër: Në Shkodër, kemi dy soje muzike, ase ma mirë me thânë, dy perjudha të ndryeshme të krijimit dhe të zhvillimit të sajë. I. Fillon prej kohve të lashta dhe arrinë deri te pushtimi i Shqipnisë prej Turkisë. II. Përfshinë perjudhën e pushtimit deri në kohë të sotçme. Së parës i përkasin ‘vallet’; së dytës ‘kangët e hêngut’...
Botimi i librit Valle Kombëtare ishte një ngjaje e shënuar për muzikologjinë shqiptare, ishte një afirmim i muzikës tradicionale qytetare shkodrane, e cila edhe pse njihej nga praktikantët e saj, nga bashkëqytetarët e saj, por vetëm në formë gojore, tani do të kishte një referencë të qartë që ashtu si lëmet e tjera të folklorit e visareve të kombit, do të fiksohej në letër e kënduar në shqip, e shkruar shqip dhe e studjuar më së miri në shqip.
Fatkeqësia e këtij libri unikal qendron në atë që jo vetëm që u botua në pak kopje, pasi autori donte të vilte mendimin e gjerë intelektual e më pas ta ribotonte me ndonjë ndryshim të nevojshëm, por ajo më e madhja qe se vetëm një vit pas botimit të librit në Firence, në Shqipëri do të vendosej pushteti totalitar dhe Kujxhijat u konsideruan të padëshiruar për sistemin e ri, kësisoj edhe libri i Gjonit do t’i nënshtrohesh persekutimit për të mos u bërë kurrë objekt studimi, për të mbetur i panjohur.