Kultura

“Gjon Mili Festival”, nga Korça, në Dhërmi e në Manhattan! Artistë ndërkombëtarë të video-artit për “Lëkura e dritës”!

17 Gusht, 13:51| Përditesimi: 17 Gusht, 14:00

  • Share

Njihet si një nga fotografët më të mëdhenj të shekullit XX dhe me emrin e tij është pagëzuar edhe Festivali Ndërkombëtar për Video Artin, që këtë vit shënon edicionin e tij të tretë. Bëhet fjalë për Gjon Milin, në vendlindjen e të cilit, në Korçë, 60 artistë nga gjithë bota, do të prezantojnë punët e tyre, duke nisur nga mbrëmja e 27 gushtit.

Këtë vit, festivali me ideatore dhe drejtuese Yllka Gjolleshën synon t’u japë hapësirë artistëve të video-artit, një zhanër, i cili nuk gjen shumë terren në festivale. Pjesë e tij janë edhe filma të shkurtër eksperimentalë dhe dokumentarë eksperimentalë.

Gjollesha tregon për “Report TV” se fakti që festivali mban emrin e Gjon Milit ka shtuar numrin e aplikimeve.

“Ne kemi pasur rreth 2600 aplikime për të zgjedhur vetëm 60 artistë finalistë, që do të jenë pjesë e festivalit. Veç artistëve të përzgjedhur në konkurrim dhe për të qenë pjesë instalative e festivalit që ndodh në tre vende, do të ketë edhe artistë të tjerë pjesëmarrës. Festivali nis nga Korça në 27, 28 e 29 gusht, vendi kryesor ku lindi frymëzimi për festivalin, për shkak se atje ka dhe një muze dedikuar fotografit të njohur.” - thotë Gjollesha.

Për tre ditë rresht, Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, ndërtesa që mban emrin dhe trashëgiminë e mjeshtrit të dritës do të transformohet në një hapësirë të gjallë ku video arti fton në një përvojë midis imazhit, kujtesës dhe eksperimentimit vizual.

Pas Korçës, festivali këtë vit shkon dhe në Dhërmi në fillim të shtatorit, ndërsa do të finalizohet në fund të shtatorit në Manhattan, atje ku video arti gjen një nga terrenet më dinamike dhe sfiduese për shprehje bashkëkohore.

“Tema e këtij viti e festivalit është “Lëkura e dritës”, një temë sa e thjeshtë dhe simbolike për të përshkruar se si frakturat e ndërtesave apo hapësirave në përgjithësi ndërthuren më së miri me elementet e video-artit.” - shpjegon Gjollesha.

Ajo thotë festivali synon që të jetë më tepër se sa lidhja me emrin dhe trashëgiminë artistike të Gjon Milit.

“Ajo që dua të krijoj është që festivali të lidhet me figurën e Gjon Milit vetëm një moment. Ajo që ne kemi vënë re është që artistët të cilët aplikojnë, në njëfarë mënyre kërkojnë që të lidhen me emrin, duke dërguar shpesh video të cilat janë të kthyera në bardhë e zi, apo krijime që t’i afrohen sa më shumë efekteve që jepte Gjon Mili në fotografitë e tij.  Sigurisht Gjon Mili ishte një figurë e rëndësishme botërore. Ai pati një karrierë shumë të suksesshme në botë dhe një angazhim me njerëz shumë të rëndësishëm të artit, ku pati bashkëpunime me emra shumë të mëdhenj, që nga Picasso dhe shumë emra të tjerë, që nuk dua të zgjatem, se figurën e Gjon Milit tashmë e njohin, por dua që festivali të qëndrojë i pavarur nga eksperienca apo mënyra si ishte Gjon Mili si artist.”

Festivali do të ndajë disa çmime sipas kategorive dhe zhanreve, ndërkohë që krahas artistëve konkurrues, pjesë e tij janë edhe mjaft artistë të tjerë të njohur. Këtë vit festivali i video artit “Gjon Mili” është edhe pjesë e Culturalb, një nismë që synon të promovojë dhe të bëjë të njohur ndërkombëtarisht kulturën shqiptare.

 

 

 

B.G/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?