Gjysmëfinalja e dytë e Festivalit Evropian të Këngës, që këtë vit mbahet në Basel të Zvicrës, ishte një natë e bukur dhe me emocione. Mes këngëve të prezantuara, në skenë pati edhe një ‘mini-EuroSong’ që na çoi pas pesë vite më parë, kur gara evropiane e këngës u anulua për shkak të pandemisë së COVID.
Destiny nga Malta, Efendi nga Azerbajxhani, The Roop nga Lituania dhe artisti shqiptaro-zviceran Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, i cili ishte përfaqësuesi i Zvicrës në Festivalin Europian të vitit 2020, sollën në skenë një interpretim të veçantë të këngëve të tyre të përzgjedhura në “Eurosong 2020”.
“Ishte vërtet frustruese të mësoje se Eurovizion do të anulohej. Tani që mund të prezantojmë këngët tona është vërtet një moment i bukur dhe emocionues.”, - vërejti Muharremaj në skenën e "Eurosong 2025".
Edhe një vit më pas, artisti shqiptaro-zviceran fitoi votën e jurisë në Rotterdam me këngën “Tout l'univers”. Një tjetër surprizë që Muharremaj solli për publikun në garën evropiane të këngës ishte lajmi që do të lançojë shumë shpejt këngën e tij të re të titulluar “Set Me Free”.
Në sajtin e “Eurosong” rrëfehet mes të tjerash rrugëtimi artistik i Gjonit, i cili mori emrin artistik Gjon’s Tears apo Lotët e Gjonit, kur në moshën 9-vjeçare bëri të qajë gjyshin e tij me interpretimin e "Can't Help Falling in Love" të Elvis Presley-t.
Artisti vetë është shprehur se “Pavarësisht nëse është gëzim, trishtim apo melankoli dëshiron të prekë njerëzit me muzikën e tij në çdo mënyrë të mundshme.”
Në vitin 2011, Gjon Muharremaj u bë pjesë e një spektakli talentesh në Shqipëri. 12-vjeçari i atëhershëm doli i treti në “Albania's Got Talent”, ndërsa një vit më vonë arriti në gjysmëfinale.
Kënga e tij në frëngjisht me të cilën prezantoi Zvicrën në “Eurosong 2021” trajton pikërisht çështjen e origjinës dhe vetë-reflektimit.
“Të gjithë pyesin veten pse saktësisht jemi këtu, nga vijmë dhe ku po shkojmë. Këto janë pyetje kyçe, veçanërisht për njerëzit me prejardhje migrante. Prindërit e mi janë nga Shqipëria dhe Kosova. Unë jam rritur në Zvicër, dhe është shtëpia ime.",- është shprehur vetë Gjoni në një intervistë për median zvicerane.
Festivali Evropian i Këngës 2025 do të mbajë finalen e tij këtë të shtunë, më 17 maj, ku 26 këngë mes 37 pjesëmarrësve të këtij edicioni do të konkurrojnë për çmimin e madh. Shqipëria e prezantuar me grupin “Shkodra elektronike” dhe këngën “Zjerm” është një ndër këngët më të pëlqyera të garës së këtij viti.
Komente
