Bota

Gjuraj për Report TV: Tre faktorët që ‘shtynë’ Izraelin të godiste Iranin, ky sulm kaq i përpiktë mund të jetë përgatitur për një dekadë

17 Qershor, 15:12| Përditesimi: 17 Qershor, 18:36

  • Share

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Tonin Gjuraj thotë se Izraeli për të kryer sulmin kaq preciz dhe të sofistikuar ndaj Iranit, ku u goditën objekte bërthamore ushtarake dhe u eliminuan krerë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë, mund të jetë përgatitur për një dekadë të tërë. Në një intervistë për Report TV, Gjuraj tha se ushtria izraelite mund të ketë shkatërruar 1/3 e raketave balistike që disponon Irani.

Sipas tij, tre faktorë kanë ndikuar në faktin që Izraeli të sulmonte pikërisht tani. Së pari, deklaratat provokuese të lidershipit iranian për bombat bërthamore, së dyti shtyrja e bisedimeve me SHBA për programin bërthamor si dhe mbështetja e Iranit ndaj organizatave terroriste si Hamasi në Gaza, Houthit në Jemen, dhe Hezbollahu në Liban.

“Tre faktorë që e detyruan Izraelin të niste sulmin. Së pari kemi pasur në vijimësi deklarata provokuese të regjimit të Iranit për prodhimin e bombave bërthamore në pak ditë. Së dyti, Irani shtynte vazhdimisht datën e nisjes së negociatave me SHBA dhe është në interesin e Izraelit për të pasur një marrëveshje për programin nuklear. Së treti, të mos harrojmë që organizata terroriste si Hamas, Xhihadi Islamik, Hezbollah, Houthit kanë pasur dhe kanë mbështetjen e Iranit. Duke kombinuar këto faktorë dhe momentin, ndoshta përgjumjeje të shërbimeve sekrete apo Gardës Revolucionare së Iranit,  dhe nisën një sulm të tillë", theksoi ai.

Sipas ish-ambasadorit, konflikti mes Iranit dhe Izraelit është edhe ideologjik. Ai përmendi deklaratat e liderëve të Iranit në vite, të cilët kanë folur për një hartë të botës pa Izraelin.

“Konflikti Izrael-Iran është konflikt edhe ideologji. Duhet të kujtojmë deklaratat e  ish presidentëve të Iranit dhe lidershipit aktual që flasin për hartën e një bote pa Izraelin. Dhe kanë qenë deklarata të hapura. Regjimi i Iranit, Khamenei dhe kanë deklaruar për zhdukjen e shtetit të Izraelit, hartën e një bote pa Izraelin. Për Izraelin kjo ka të bëjë me ekzistencën e shtetit të vet dhe ata e justifikojnë me vetëmbrojtje. Kjo është arsye themelore që duhet të bëjmë dallimin të raporteve të Izraelit me Iranin dhe të raporteve të Izraelit me vendet e tjera të Lindjes së Mesme”, shtoi Gjuraj.

Pyetjes nëse ka “vdekur” diplomacia, Gjuraj u përgjigj duke thënë se po ushtrohet presion që palët të ulen në bisedime, që Irani të pranojë një marrëveshje për programin bërthamor dhe që Izraeli të garantohet se nuk i rrezikohet ekzistenca e vet.
 

Por a do të përfundojë shpejt ky konflikt? Sipas tij, konflikti është vështirë të shuhet por shtoi se sulmet mund të ndalen. Ai gjithashtu shtoi se nuk beson se synimi i Izraelit është që të rrëzojë regjimin e Khameneit për momentin, megjithëse ky i fundit mund të bjerë, duke marrë parasysh goditjet e sofistikuara të Izraelit.

“Irani është vend më i konsoliduar sesa Siria. Siria ka rënë. Por Irani është regjim teokratik më i konsoliduar në kuptimin e institucioneve, të traditës pavarësisht se vetëm demokratik nuk është në raport me median apo të drejtat themelore të njeriut. Nuk mendoj se për momentin qëllimi i Izraelit është të rrëzojë regjimit e Khamenei. Nëse ajo do të vijë natyrshëm nga sulmet mund të ndodhë por nuk besoj se është ky qëllimi. Nuk është kjo dominoja e fundit. Irani, me mbështetjen që SHBA i japin Izraelit dhe disa vende të tjera perëndimore, kjo mbetet për t’u parë por besoj se sulmi dhe zhvillimet dinamike, presioni nga SHBA dhe organizimi shumë preciz i sulmeve të Izraelit do ta detyrojnë të ulet në tavolinë. Me fjalë të tjera konflikti do të vijojë gjatë por ndoshta tensionet mund të ndërpriten. “

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?