“Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort dhe, rrjedhimisht duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin” shkruan Ismail Kadare.
Edhe për t’i bërë drejtësi historisë, Çamëria, përkatësia etnike shqiptare e këtyre trevave, që shihen si vazhdim i Labërisë, prej vitesh janë objekt studimi i gjeografit të njohur me origjinë çame Selman Sheme. Në 78-vjetorin e gjenocidit çam, e duke iu kundërvënë harresës, studiuesi prezanton në 330 faqe “Vendbanimet në hapësirën historike të Çamërisë”. Një çerek shekulli studim, ku pasqyrohet e plotë taloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale, që zë fill që në lashtësi e deri në ditët e sotme. Studimi daton në vitin 1998. Autori i përshkon viset e të parëve në këmbë në disa ekspedita, e mandej në studion e tij shfrytëzon të gjitha burimet.
Një literaturë e pasur vendase dhe e huaj, deri tek arkivat turke e autorë të Britanisë së Madhe. Të gjitha të dhëna, që i flasin historisë së Çamërisë.
Sheme trashëgon historinë e dokumenton fakte që lidhen me ato troje edhe për të kujtuar atë çka ndodhi në 27 qershor të vitit 1944, kur ushtria greke EDES, e udhëhequr nga Napoleon Zerva kreu masakrën më të egër ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Nga Filati në Gumenicë, në hapësirat e Margëlliçit, Paramithisë, Prevezës, Artës e deri në trevat shqiptare në jug të Gramozit, studiuesi thotë se në terrenet që vizitoi, flitet shqip. Sepse, shqiptarët e atyre anëve, e kanë të shenjtë ruajtjen e identitetit.
Rrënjët e vendbanimeve shqiptare në këtë krahinë rezistojnë ndonëse kanë pësuar tri tronditje të mëdha, në periudha të ndryshme të historisë
Sheme po ashtu, e shoqëron librin me një hartë të plotë të realizuar në 2005-ën, sepse siç thotë, Çamëria nuk mund të jetë çështje e mbyllur.
Janë një sërë kërkesash që qeveria shqiptare duhet të parashtrojë e të provojë t’i zgjidhë, sipas studiuesit, sa i përket çështjes çame.
Në mbështetje të kauzës së drejtë çame duhet të jenë sipas Shemes edhe organizmat botërorë, siç është NATO. Problemi sipas tij, nuk është vetëm politik, por edhe kulturor. Këto krahina janë, një trashëgimi e vyer turistike edhe sa i përket pozicionit kyç gjeografik e peizazhit favorizues.
Sheme në botimin e tij thellohet edhe në tipologjinë e banesave ku kanë jetuar shqiptarët e këtyre viseve. Ndalet në ato gërmadha e rrënoja që dëshmojnë ende mënyrën e jetesës së çamëve. Gjenocidi e koha nuk kanë kursyer as objektet e kultit.
Por, ajo çka koha e përpjekjet e grekëve për mbylljen e çështjes çame nuk kanë arritur është fshirja e dëshmive të prejardhjes shqiptare që gjenden të gdhendura edhe në muret e atyre trojeve.
Kundrejt pretendimeve të çdo zyrtar grek, si ministri i jashtëm Nikos Dendias, për të mos hapur çështjen e Çamërisë, studiuesi thotë se duhet të ketë një përgjigje konkrete nga qeveria vendase.