Politikë

Gjuzi aleat i PD-së: Berisha 'Skënderbe', por në listën e Tiranës ka 4-5 sorosianë! Ironia e Merkoçit: Nga Rithemelimi, te riciklimi

6 Mars, 19:16| Përditesimi: 6 Mars, 19:53

  • Share

Zgjedhjet e 11 majit, koalicioni opozitar për “Shqipërinë Madhështore” dhe divergjencat politike brenda tij, ishin disa nga temat e diskutuara sot në ‘Studio Live’ në Report TV.

Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj ishin ish-deputeti Kujtim Gjuzi, kryetar i Partisë Konservatore dhe avokati Fatmir Merkoçi.

Brenda në listat e PD-së për Tiranën ka emra që janë përfaqësues të Sorosit. Kështu u shpreh Kujtim Gjuzi ndër të tjera i pyetur për koalicionin, teksa e cilësoi kreun e PD-së Sali Berisha si “Skënderbeun e dytë”, pasi ironizoi kryeministrin Edi Rama, që sot bëri batuta me ish-deputetin duke e cilësuar si “lulja më e bukur e koalicionit opozitar’.

Gjuzi tha se vetë nuk do jetë në listën për deputet dhe parashikoi se koalicioni opozitar do fitonte deri në 77 mandate deputetësh. Ai ‘emëroi’ Berishën si kryeministër ose president, teksa nënvizoi se “Rama është i rrëzuar nga Shqipëria Madhështore”.

Por avokati Merkoçi e kundërshtoi duke thënë se “Berisha e nisi me Rithemelim dhe e mbylli me riciklim figurash”, duke mos e parë me shumë optimizëm koalicionin opozitar, me figura kontroverse politike brenda saj.

“E kam thënë edhe herë tjetër, Berisha është Skënderbeu i dytë. Kemi mbi 4 mijë vota. Të gjithë të përcjellim emra te PD-ja, ajo është partia më e madhe e opozitës. Unë nuk do jem në listë, por ftoj avokatin Merkoçi të jetë pjesë si konservator i vjetër, firmën e vulën ia jap dhe ta dërgojmë atje. Mos u merr me Skënderbeun e dytë se do ishe në burg, do ishim të dy në burg (i drejtohet Merkoçit që ndërhyn dhe nuk është dakord). Çfarë duhem unë në Parlament, unë në listë dua njerëz të Tiranës, nuk dua njerëz të Sorosit. Por në listën e Tiranës  së PD-së, ka të paktën 4-5 emra që janë të Sorosit”, tha Gjuzi.

Ai iu përgjigj edhe kryeministrit Edi Rama, duke thënë se është i mbaruar politikisht dhe pse kërkon t’i ngjajë Ismail Qemalit.

“Rama gjoja më lavdëroi, Kujtimi simpatik tha, ajo është sarkazëm. Skënderbe është Sali Berisha zotëri, se për ty do ishim në burg. Na ke vjedhur votat më 2021, ti do më u bë Ismail Qemali, ka lënë mjekrën si ai. Rama është i dorëzuar me çështjen McGonigal, ekstradimi i tij, e tha Berisha. Berisha nuk ka faj për ato që ndodhën në PD, përgjegjësi, ishte Basha në krye të partisë. Rama është i mbaruar nëse nuk bënte qeverinë tranzitore. Ramën do e rrëzojë Shqipëria Madhështore. Rikthimi i tretë i Sali Berishës, unë i them Skënderbeu i dytë atij. Nuk e vë dy herë në presion Sali berishën unë, e vura një herë në 2021, s’e bëj dy herë gabimin. Baca ka mbrojtje të fortë, ça është Albania 1 e Albania 2 (satelitët). Vangjel Dule është çam, ia kam thënë edhe hirësisë së tij të ndjerë (Janullatosit). Berisha ka mbyllur një listë me 12 emra, 4-5 prej tyre janë njerëz të Sorosit. Berisha do bëhet kryeministër, president apo skënderbeg i dytë në rikthim. Maksimalisht aleanca opozitare do shkojë 77 mandate”, tha ish-deputeti.

Kurse Merkoçi e sheh me dyshime koalicionin “shumëngjyrësh” të Berishës, duke e ironizuar.

“Problemi është Partia Demokratike që nuk pranon mendimet kundër apo fraksionet kundër saj, ajo nuk pranon të djathtën konservatore. E nisi me Rithemelim, Berisha duke qenë promotori i Rithemelimit, e çoi te riciklimi, te qendra, pra la të djathtën kosnervatore, i ka humbur sensi i 90-ës, që partia e djathtë të bëhet e djathtë tamam, që lufton me kauza dhe alternativa. Aty janë falangat e Sorosit ende brenda. Aleanca e opozitës nuk është ideologjike. Po të ishte në këtë mënyrë, Berisha le t’i mblidhte të gjithë, ta bënte koalicion me 40 parti. Edhe dhënia e 4 mandateve te PL nuk ka llogjikë, ku partitë e tjera nuk kanë. Unë nuk jam as lypës dhe as lëpirës. Ata me të cilët je ti (i drejtohet Gjuzit) nuk e rrujnë për ty. E me ça të mbyll unë? (i drejtohet moderatorit Hitaj) E nisëm me Rithemelim dhe e mbyllëm me riciklim!”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?