Politikë

Gjuzi për Report Tv: Berisha humbi se futi në lista 23 sorosianë dhe Këlliçin në Tiranë! Merkoçi: PD i mbushi listat me humbës, asnjë s'guxon t'i kërkojë dorëheqjen kryetarit

30 Maj, 18:47| Përditesimi: 30 Maj, 19:28

  • Share

Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori një humbje të thellë dhe historike në zgjedhjet e 11 majit, por për aleatin e Sali Berishës, kryetarin e Partisë Kombëtare Konservatore, Kujtim Gjuzi, pati disa shkaqe të jashtme dhe të brendshme.

Gabimi kryesor nga kreu i PD u bë me listat e deputetëve dhe përzgjedhja e drejtuesve politikë në qarqe.

Ai solli si shembull në ‘Studio Live’ të Report Tv, humbjen e Tiranës, ku për Gjuzin vendosja e Belind Këlliçit si kreu politik i PD-së për qarkun ishte i gabuar, sepse nuk përfaqëson të gjithë demokratët e kryeqytetit. I njëjti gabim sipas tij u bë edhe me Gazment Bardhin në Fier, por edhe qarqe të tjera.

Gjithashtu një nga shkaqet e tjera për Gjuzin, ishte përfshirja në listat e PD-së për deputetë në listat e sigurta të 23 Sorosianëve.

“Berisha futi 23 sorosianë në lista, i futi të detyruar aty. Unë ia thashë me mesazh Berishës. Kurse për LaCivita mendoj se ai nuk dha këshilla, por mori këshilla. Tirana nuk është vjedhur në vota, kush thotë se u vodh, mashtron. Ama na ikën dy mandate në Tiranë, lista ishte shkaku kryesor, nuk u vunë përfaqësuesit e duhur, mungojnë emrat. Madje edhe Basha duhej në koalicion sepse mblidheshin votat. I kam thënë edhe doktorit, Sali Berishës, në telefon. Në qarqet e tjera pati farsë”, u shpreh kreu i PKKA për moderatorin Arbër Hitaj, duke analizuar shkaqet e humbjes së opozitës.

Madje u shpreh kritik edhe për përfshirjen në listat e mbyllura të 2 përfaqësuesve të Partisë së Lirisë.

“Dy emra të PL-së në listën e sigurt të Tiranës ishte veprim i gabuar. Mund të kishte futur vetëm Ilir Metën meqë donte ta nxirrte nga burgu dhe e quante burgosje politike. Por nuk mund të bëhesha unë pjesë e një liste me 23 sorosianë. Në Tiranë po të hapen kuti janë tjetërsuar votat e listës së hapur”, vijoi ai.

Kurse për zbatimin e statutit të PD-së dhe “Nenit Basha”, Gjuzi u shpreh i dyzuar, duke mos e ‘shitur’ Berishën, duke ia njohur edhe lavdërimet që i bëri gjatë fushatës.

“Për dorëheqjen e Berishës nga PD është e drejtë e anëtarësisë së partisë. Po të isha në atë parti do thoja e ndaja 50 me 50% dhe zgjidhej me Kongres. Pra po të isha, mund të abstenoja, po për mua le të rrijë se i duhet opozitës. Edhe Rama vdes për të, Berisha edhe për mua vdes, më përmendi 8 herë. 23 deputetë të Sorosit nuk kanë punë te ne, nuk kanë votë”, tha Gjuzi.

Kurse i ftuari tjetër, juristi Fatmir Merkoçi, u tregua më i drejtpërdrejtë në analizën dhe kritikat e tij ndaj PD-së dhe humbjes së thellë të zgjedhjeve.

“PD kërkoi votën e diasporës, të emigrantëve, por nga ana tjetër nuk e mbrojti atë votë. PD futi në lista të gjithë humbës dhe madje i futi te lista e sigurt. Primaret nuk bëhen në një parti pa fraksione, nuk ka Primare, nuk ka të djathtë, ka vetëm tallje. Primaret ishin të pavlera. Nuk kanë më vlerë justifikimet për humbjen. Si mund të fitosh Tiranën me Këlliçin që doli humbës me 60 mijë vota në bashki. Ndaj edhe PD nuk i përfaqëson kandidatët me ankimime në KQZ dhe KAS, sepse do të ruajë unitetin parti-popull. Sot ka nevojë për një Kuvend Kombëtar, por jo me ata që janë aty, por me njerëz që kanë kontribute dhe vlera”, tha Merkoçi.

Ai i qëndroi mendimit se Berisha duhet të largohet, të respektojë statutin e PD-së, dhe të mbajë premtimin që dha para zgjedhjeve.

“Berisha ka thënë se do e respektojë Statutin që para zgjedhjeve, por problemi është më i thellë. Nëse Berisha jep dorëheqjen, pyetja është kush e merr partinë? Nuk ka figura. Problemi është kush do ia kërkojë zbatimin e statutit Berishës? Flamur Noka, Albana Vokshi apo Jozefina Topalli? E gjithë kryesia e PD është me mendjen që ‘po iku Berisha, mbaruam fare’. Asnjë prej tyre nuk është i aftë që t'ia kërkojë dorëheqjen”, u shpreh juristi për Report Tv.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?