Kreu i KOKSH Fidel Ylli dhe i FSHF-së Armand Duka

Sport

Apelit rrëzon kërkesën e FSHF, njeh Fidel Yllin si kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar! Reagon Federata: S'njeh gjykatat ndërkombëtare, të ndërhyjë FIFA

17 Shkurt, 15:19| Përditesimi: 17 Shkurt, 21:27

  • Share

Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të mos njohur asamblenë e jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar më 10 janar 2021, që i hapi rrugën zgjedhjes së Fidel Yllit. Më herët FSHF e çoi çështjen në gjykatën e Lozanës në CAS, duke edhe e fituar atë, por që nuk ka gjetur mbështetjen e gjykatave në vendin tonë.

Kjo sepse KOKSH e apeloi në gjykatën e apelit, që sipas Komitetit Olimpik Kombëtar këtë të hënë ka vendosur të lërë në fuqi njohjen që Gjykata e Shkallës së parë ka bërë në mars 2021. Ky institucion ka quajtur si të rregullt procesin e zgjedhjes si president të KOKSH-it Fidel Yllin.

Një reagim ka ardhur nga FSHF, që më herët ka fituar gjyqin në CAS, që thotë se KOKSH nuk njeh gjykatat ndërkombëtare dhe nuk zbaton vendimet, si në kohë të komunizmit. FSHF i kërkon UEFA-s dhe FIFA-s te ndërhyrjen për çështjen.

"Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) vendosi më datë 17 qershor 2024 në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021. CAS shpalli të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.

CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare. Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS vendosi në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.

Në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike juridike, KOKSH, i cili vetë kërkoi që çështja të gjykohej jashtë Shqipërisë, sot nuk e njeh më vendimin e CAS-it. KOKSH refuzon hapur t’i bindet rregullave ndërkombëtare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke shkelur Konventën e Nju Jorkut mbi njohjen dhe zbatimin e vendimeve arbitrare.

Kjo nuk është thjeshtë një mosmarrëveshje sportive. Kjo është një formë e pastër dhune institucionale, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të drejtësisë! Ky qëndrim na kthen pas në kohën e errët të komunizmit, kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar që nuk njihte asnjë vendim ndërkombëtar. Atëherë, shteti nuk i zbatonte ligjet e botës – dhe sot, për fatin tonë të keq historia po përsëritet.

Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të heshtë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të vendosur drejtësinë në vend. I bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve ndërkombëtare, FIFA-s, UEFA-s dhe Gjykatave Evropiane të Drejtësisë që të reagojnë menjëherë dhe të mbrojnë rendin sportiv nga shkatërrimi i qëllimshëm që po ndodh në Shqipëri. Sporti shqiptar nuk mund të mbahet peng i një drejtësie të kapur dhe i një shteti që refuzon ligjin ndërkombëtar. Shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e botës, jo të izolohen prej saj", thuhet në reagim. 

Ne.k./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/02/2025 05:32

    C'lidhje ka FSHF me KOKSH?!

    Përgjigju
  • Iris: 18/02/2025 05:32

    C'lidhje ka FSHF me KOKSH?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?