Gjykata Administrative ka shpallur moskompetencën për kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për anulimin e vendimit të komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen 2 javore të karantinës për qytetarët të cilët vijnë në Shqipëria nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia. Gjykata Administrative ka shpallur moskompetencë për çështjen dhe e ka kryer kalimin e akteve pranë Gjykatës Administrative të Apelit. Ky ka qenë vendimi i gjyqtarit Avni Sejdi.
Kështu deri sa të shprehet Gjykata Administrative e Apelit, mbetet në fuqai akti normativ i Komitetit Teknik të Ekspertëve, për karantinimin me 14 ditë për këdo që vjen nga Greqia dhe Maqedonia, në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë së COVID.
Pak ditë më parë LSI dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Administrative të Tiranës për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me pretendimin se ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me kushtetutën.
Karantina e detyruar 2 javore për qytetarët që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia u vendos dje nga Komiteti Teknik e Ekspertëve. Arsye e këtij vendimi janë bërë shifrat shqetësuese në këto dy vende fqinje dhe do jetë në fuqi deri më 3 maj.