Joaquin "El Chapo" Guzmán Loera, shefi i drogës meksikane, i cili arriti të fitonte 14 miliardë dollarë si kreu i kartelit të drogës Sinaloa, u shpall ditën e sotme fajtor nga gjykata federale në SHBA.
Ai u shpall fajtor për të dhjeta akuzat kundër tij, ndërsa dënimi do të vendoset më 25 qershor.
Menjëherë pasi u mor vendimi në gjykatë ra heshtja, dhe vetë Guzman nuk reagoi.
Pasi juria dhe gjykatësit u larguan nga salla, Guzman tundi kokën dhe i buzëqeshi gruas së tij, Emma Coronel, e cilësuar dikur si "mbretëreshë bukurie".
Ajo ia ktheu buzëqeshjen dhe i bëri një gjest dashurie duke prekur zemrën me dorë.
Avokati i El Chapos u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i jurisë, ndërsa prokurori i SHBA për rajonin tha se rasti përfaqëson një fitore për popullin amerikan, për njerëzit meksikanë që kanë humbur të dashurit e tyre në luftërat e drogës dhe për çdo familje që ka humbur një person prej varësisë nga droga.
El Chapo tashmë 61 vjeç, akuzohej për përfshirjen në akte të vazhdueshme kriminale, komplote për të pastruar të ardhurat nga droga, shpërndarjen ndërkombëtare të kokainës, heroinës, marihuanës dhe drogave të tjera si dhe përdorimin e armëve të zjarrit.
Gjyqi zgjati për dy muaj e gjysmë, kohë në të cilën juria dëgjoi dëshmi për tortura të papërshkrueshme dhe vrasje të kobshme, korrupsion pothuajse në të gjitha nivelet e qeverisë së Meksikës, keqatrajtime , armë të veshura me ar, diamante e pistoleta.
Komente
