Gjykata detyron KLGJ që të paguajë magjistratët nga momenti i diplomimit

17 Tetor, 21:15| Përditesimi: 17 Tetor, 21:20

  • Share

Një ndër 18 çështjet e parashikuara në rendin e ditës të mbledhjes plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ që u zhvillua të mërkurën më 16 tetor, kishte të bënte me rishpërndarjen e fondeve të buxhetit dhe shpenzimeve korrente për vitin buxhetor 2024. Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i administratës së KLGJ, parashtroi ndër të tjera se pagesa e magjistratëve të rinj, bazuar në praktikën e vitit të mëparshëm, duhet të fillojë nga momenti i diplomimit të tyre.

Diplomimi i 32 magjistratëve të rinj të brezit 2021-2024 u krye më 27 qershor, por KLGJ i emëroi ata në detyrë tre muaj më vonë, duke vepruar për të dytin vit radhazi në kundërshtim me ligjin.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” parashikon në nenin 35 se, “Brenda afatit njëmujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat: a) emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, i cili përmbush kriteret e emërimit, ose refuzojnë të emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, por që nuk përmbush kriteret e emërimit”.

Ashtu si dhe në rastet e tjera, diskutimet për trajtimin e kësaj pike të rendit të ditës, u zhvilluan të mërkurën pa praninë e përfaqësuesve të medieve dhe të pranishmëve të tjerë, të cilëve iu kërkua të dalin jashtë. Në sallë mbetën veç anëtarët e KLGJ dhe përfaqësuesi i administratës së këtij institucioni, por diskutimet e tyre mbetën të fshehta.

Në vijim, KLGJ i hapi dyert për të vijuar trajtimin dhe votimin e mënyrës së pagesës së magjistratëve të rinj. Mes anëtarëve pati diksutime nëse do të bëhej pagesa prej datës 1 korrik si e përcaktonin vendimet e gykatës të formës së prerë, apo prej 1 gushtit që është afati maksimal që lejon ligji për kryerjen e emërimit, nga momenti i publikimit të listës së të diplomuarve.

Anëtari Klodian Kurushi solli në vëmendje të anëtarëve të tjerë praktikën e vitit të kaluar si dhe vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit, që detyrojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor të paguajë magjistratët e rinj, që nga momenti i diplomimit të tyre, pavarësisht kohës kur emërohen në detyrë. Kurushi kërkoi që edhe vendimi të bazohej pikërisht në vendimarrjet e formës së prerë të gjykatës dhe në praktikën e mëparshme të KLGJ, ku citohej se pagesa duhej të fillonte nga data 1 korrik.

Në këtë formë u parashtrua në vijim projekt vendimi që u miratua me shumicën e votave të anëtarëve të KLGj, duke u dhënë mundësinë magjistratëve të rinj të paguhen nga momenti diplomimit të tyre. Ndërsa anëtarja Gentiana Muçaj votoi kundër, duke argumentuar se i referohej praktikës së saj.

Nga sa u bë me dije prej anëtarëve të KLGJ të mërkurën, ky institucion ishte detyruar vitin e kaluar të paguante magjistratët e rinj prej momentit të diplomimit të tyre, megjithëse emërimi i tyre në detyrë u zvarrit me muaj të tërë, ndërkohë që vakancat dhe stoqet e dosjeve të pashqyrtuara në gjykata rritej për arsye të largimit nga detyra të gjyqtarëve të shkarkuar ngjatë procesit të vetingut.

Në janar të vitit 2020, KLGJ vendosi të pranojë 40 kandidatë për gjyqtarë, duke arsyetuar se numri i lartë u ndikua nga largimet e magjistratëve nga sistemi i drejtësisë, si pasojë e shkarkimeve gjatë procesit të vetingut. Megjithëse ky planifikim i kryer më parë pritej që të ndihmonte në plotësimin e vakancave të krijuara në gjykata, KLGJ në kundërshtim me përcaktimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, nuk i emëroi 40 të diplomuarit në fund të qershorit të vit të kaluar.

Procedurat për fillimin e tyre nisën në tetor të vitit 2023, ndërkohë që nga sa u mësua të mërkurën, gjykata kishte detyruar KLGJ-në që ti paguante nga momenti i diplomimit, pavarësisht se u lanë pa punë ndërkohë që nevoja për gjyqtarë në gjykata ishte e madhe.

Ngjashëm ndodhi edhe këtë vit, kur 32 magjistratët e rinj të diplomuar si gjyqtarë, u lanë pa punë për tre muaj, ndërkohë që KLGJ detyrohet t’i paguajë nga 1 korriku./Reporter

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?