TIRANË-Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të mbyllë në qeli Donald Hoxhaj dhe Gentian Kanen, të cilët akuzohen për vjedhjen e 250 milion lekëve në zonën e qendrës "Kristal". Shuma financiare i përkiste biznesmenit Flamur Behi, që zotëron në zonën e ish-bllokut në Tiranë një dyqan për shitjen e cigareve. Flamur Behi ditën e ngjarjes, ishte paraqitur së bashku me bashkëshorten e tij B.Behin në ambientet e një qendre tregtare, për të blerë një hekur rrobash.
Në momentin që biznesmeni parkoi te qendra tregtare dhe tentoi që të mbyllë makinën, dy autorët bllokuan me një aparat valët e pultit për mbylljen e automjetit për të hapur më pas “Range Rover-in” duke marrë lekët. Por teksa kanë blerë hekurin dhe janë kthyer në makinë, Flamur Behi nuk po arrinte që të ndizte dot 'Range Rover'-in pasi ishte ç'koduar. Për rreth 20 minuta tentativat e biznesmenit ishin pa rezultat për të ndezur makinën, ndërsa më pas ka dalë dhe hapur bagazhin ku ka konstatuar mungesën e çantës bashkë me lekët.
Ai menjëherë ka njoftuar policinë e Tiranës, ku oficerët e kësaj të fundit filluaan kqyrjen e pamjeve filmike, ku është qartësuar një person që pasi ka marrë çantën me para ka hipur në një automjet tip “Benz” me targë AA 362 ZN.
Pas verifikimeve të kryera për pronësinë e këtij automjeti me të cilin hajduti i çantës është larguar, rezultoi se mjeti ishte në pronësi të Greta Hoxhajt, spikerja e lajmeve në televizionin “Zjarr” në Tiranë.