Dodë Rica, biznesmeni i arrestuar

VENDIMI/ Gjykata e Durrësit lë në qeli pronarin e "Club Shqiponja", e denoncuan striptistet në Kosovë për trafikim! Dosja e ekstradimit i kalon Tiranës

26 Gusht, 12:01| Përditesimi: 26 Gusht, 13:17

  • Share

Durrës- Gjykata lë në qeli me masën e sigurisë “arrest në burg” biznesmenin Dodë Rica, pronar i rrjetit të lokaleve të striptizmit në Shqipëri dhe Kosovë, “Club Shqiponja”, duke e cilësuar si të ligjshme procedurën e ndalimit të tij më 22 Gusht, në Durrës.

Por dosja për procesin e ekstradimit drejt Kosovës i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës, pasi 47-vjeçari me origjinë nga Mirdita figuron banues në Tiranë, teksa akuzohet për “trafikim të njerëzve në Kosovë”.

Gjykata e Prishtinës kishte caktuar më parë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë dhe policia shqiptare e ekzekutoi në qytetin e Durrësit vendimin javën e kaluar. Aktualisht ai ndodhet në procedura hetimore dhe ekstradimi.

Arrestimi i Ricës u krye në Durrës, pas denoncimeve të disa balerinave, shqiptare dhe të huaja, të cilat kishin punuar më parë në një nga klubet e tij, në Prishtinë.

Ato e akuzojnë Ricën për trafikim të qenieve njerëzore dhe për sjelljen e tyre në mënyrë të jashtëligjshme për t’i punësuar në klubet e tij. Pas denoncimit, autoritetet kosovare informuan menjëherë homologët e Tiranës për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Gjykata e Durrësit e ka vlerësuar masën ditën e djeshme (25 Gusht), teksa e konfirmoi ditën e sotme, sikurse edhe veprën penale të “trafikimit të njerëzve,” sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit shpalli veten jokompetente për këtë çështje dhe vendosi që aktet të dërgohen në Gjykatën e Tiranës, e cila është kompetente për gjykimin e rastit me qëllim ekstradimi.

Më herët (e shtunë 24 Gusht), po me një vendim të veçantë, Gjykata urdhëroi Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, që në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve Tiranë, të siguronte edhe shoqërimin e Ricës në varrimin e nënës së tij, në varrezat e Kombinatit, në kryeqytet.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit:

"Në përfundim të shqyrtimit të çështjes penale Nr. 590 Akti, me me objekt "Miratimi i arrestit të përkohshëm për qellim ekstradimi të kryer nga policia gjyqësore ndaj shtetasit D. Rica, u dha caktmi i masës së sigurimit "arrest në burg"për shtetasin  D. Rica.


Gjykata Vendosi:

1.      Pranimin e kërkesës.

2.      Vleftësim e ligjshëm të arrestimit në flagrancë për qëllim ekstradimi ndaj shtetasit D. Rica, i biri i F. dhe M., i datëlindjes .1977,  lindur në Mirditë dhe banues në Kombinat, Tiranë, me shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, i martuar, gjendje gjyqësore i padënuar..

Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit D. Rica, proceduar në shtetin Kosovar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi me njerëz”, parashikuar nga Kodi Penal Kosovar.

Shpalljen e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës jokompetente dhe dërgimin e akteve pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si gjykatë kompetente.

Urdhërohet Drejtoria Vendore e Policisë Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve Tiranë, të shoqërojnë shtetasin D. Rica në varrimin e nënës së tij, të ndjerës M. F. Rica në varrezat e Kombinatit Tiranë.

Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë.

Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet policia gjyqësore, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Kundër pikës 1, 2, 3 të këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar të vendimit.

Kundër pikës 4 të këtij vendimi lejohet ankim së bashku me vendimin përfundimtar.

U shpall në  Durrës, më datë 24.08.2024". 

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?