Nga një seancë gjyqësore ndaj Dritan Dajtit, në Elbasan
Gjykata e Elbasanit reagoi sot për shtyrjen e seancës së radhës gjyqësore ndaj Dritan Dajtit, pasi nuk u realizua as video-konferenca nga Burgu i Peqinit, por as transportimi i tij në Gjykatë për shkaqe të sigurisë, pasi dyshohej se mund të arratisej.
Institucioni sqaron se seanca u shty për shkak se Burgjet nuk realizuan asnjë nga dy format që të mbahej ajo në kushtet e garantimit të të drejtave ligjore të Dajtit, i cili kërkon të njihet dënimi i lehtë dhe jo ai i burgut përjetë, si dhe t’i llogariten vitet e dënimit, pasi pretendon se e ka vuajtur.
Gjyqi drejtohet nga magjistratja Suela Lika, e cila pasi konstatoi se Burgu u Peqinit, i njoftuar më parë, nuk kishte realizuar kushtet për video-konferencë dhe as transportimin e Dajtit në Gjykatë për prezencë, vendosi shtyrjen e seancës për në datën 12 Shkurt të këtij viti.
Gjykata thekson se Burgjet ishin vënë në dijeni prej datës 9 janar për seancën dhe marrjen e masave.
“Gjykata është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për pamundësinë e shoqërimit të shtetasit Dritan Dajti në ambientet e Gjykatës për arsye sigurie, në lidhje me informacione sensitive të dhëna nga Agjencitë Ligjzbatuese, mbi dyshimet për arratisjen e tij. Gjykata duhet të njoftohet paraprakisht për realizimin e lidhjes audio-vizive nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, i cili konfirmon marrjen e masave për realizimin teknik të lidhjes audio-vizive me Gjykatën, në datën dhe orën e caktuar të njoftuar paraprakisht për gjykim. Por nuk është paraqitur asnjë përfaqësues ligjor nga Burgu i Peqinit”, konstaton Gjykata në deklaratën zyrtare të lëshuar sot.
I është lënë përsëri detyrë Burgjeve që të realizojnë masat për seancën e 12 Shkurtit, në orën 11:00 për Dajtin dhe zhvillimin e saj.
Lajmi kryesor:
Elbasan/ Dështon përsëri seanca me videokonferencë ndaj Dritan Dajtit, Burgjet nuk morën përsipër as shoqërimin për arsye sigurie
A.Q/r.k./ReportTv.al
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)