Gjykata e Korçës ka liruar nga qelia 21-vjeçarin e komunitetit rom, Dritson Kurti. Pavarësisht se u shpall fajtor për veprën penale “marrëdhënie seksuale me tē mitur” dhe u dënua me 5 vite, gjykata vendosi ta konvertojë në shërbim prove.
Dritsoni tashmë do t’i bashkohet familjes pasi qëndroi 9 muaj në paraburgim. Kujtojmë se familjarët e tij dhe anëtarë të komunitetit rom kanë protestuar për lirimin e Dritsonit, i cili u arrestua në shtator, pasi bashkëjetuesja e tij, vetëm 13 vjeçe solli në jetë një fëmijë në maternitetin e Korçës.
Ndërsa avokati tha se gjykata duhet t’i jepte pafajësinë Dritson Kurtit, pasi martesat në moshë të hershme janë pjesë e kulturës së komunitetit rom.
"Sot u mor një vendim për Dritson Kurtin, ku Gjykata e Korçës miratoi kërkesën e organit të akuzës në bazë të nenit 59 të Kodit Penal. Ai u dënua me 5 vjet shërbim prove. Duhet theksuar se kjo nuk na kënaq, pasi unë vazhdoj të deklaroj se Dritson Kurti është i pafajshëm. Dua ta ritheksoj këtë fakt, sepse nuk duhet të kënaqemi me zbatimin e nenit 59, pasi një pjesë e madhe e këtij komuniteti të nderuar në Shqipëri, që punojnë dhe duan kulturën dhe njerëzit e mirë, jetojnë sipas traditave të tyre. Në këtë komunitet, njerëzit martohen që në djep, pasi baballarët lidhen me njëri-tjetrin dhe martojnë fëmijën që i vogël. Kjo është kultura e tyre dhe duhet respektuar.
Gjithsesi, ky ishte një moment i rëndësishëm procedurial, që i lejon Dritsonit të bashkohet me familjen dhe të qëndrojë pranë vajzës së tij të mitur, të cilën ende nuk e ka pasur mundësinë ta gëzojë. Duhet theksuar se ky rast nuk u ngrit me kallëzim nga bashkëjetuesja e tij, por ishte një kallëzim kryesisht nga palë të tjera. Edhe ne si mbrojtje kërkuam që të aplikohej neni 59 i Kodit të Procedurës Penale.
Do të konsultohem me Dritsonin dhe, nëse vendosim ta ndjekim më tej këtë proces, do ta çojmë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut për të kërkuar pafajësinë e vërtetë, sepse ai është i pafajshëm. Rreth 70-80% e këtij komuniteti jetojnë në këto kushte.
Me këtë rast, i bëj thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndërmarrin një iniciativë ligjore. Komisionet parlamentare duhet të ulen dhe të diskutojnë, duke marrë parasysh edhe konventat europiane, si dhe të bashkëbisedojnë me partnerët ndërkombëtarë për të rishikuar Kodin Penal, sepse në të ardhmen mund të ketë raste të ngjashme. Kjo është një kauzë që kërkon zgjidhje."-tha Cenko
Ngjarja u bë e njohur vitin e kaluar kur policia e Korçës arrestoi Dritson Kurtin, pas raportimeve se ai kishte bashkëjetuar me një të mitur dhe kjo e fundit kishte sjellë në jetë një fëmijë.
Rasti shkaktoi reagime të forta publike, për shkak të moshës së vajzës dhe rrethanave që shoqëruan bashkëjetesën. Gjatë hetimeve, Kurti u përpoq të justifikonte lidhjen me vajzën e mitur duke e mbështetur atë në “traditën” e komunitetit rom, ndërkohë që prokuroria këmbënguli se kemi të bëjmë me një marrëdhënie të paligjshme, duke kërkuar ndëshkim.
Komente
