Gjykata e Kosovës anulon vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës

19 Mars, 07:42| Përditesimi: 19 Mars, 07:44

  • Share

Gjykata Komerciale e Kosovës vendosi në favor të televizionit Klan Kosova, duke anuluar vendimin e qeverisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij televizioni.

Kjo gjykatë tha se ka miratuar padinë e Klan Kosovës ndaj Ministrisë së Tregtisë e cila më 14 qershor të vitit 2023 vendosi pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij televizioni “për shkak të parregullsive” me rastin e regjistrimit të biznesit.

Ministria tha se në regjistrimin e biznesit shkruan “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke theksuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Klan Kosova tha se paraqiti dokumentet e plotësuara me 21 qershor në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve e cila po atë ditë shfuqizoi vendimin për pezullimin e certifikatës. Por një ditë më pas vendimi u rikthye duke bërë që Klan Kosova të dërgojë ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve.

Me 28 korrik ky Komision vendosi ta hedhë poshtë ankesën Klan Kosovës dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij televizioni.

Klan Kosova dërgoi çështjen në Gjykatën Komerciale e cila me 3 gusht vendosi shtyrjen e zbatimit të vendimit të qeverisë duke shmangur mbylljen e televizionit deri në një vendim përfundimtar.

Në një njoftim të kësaj gjykate që mban datën 13 mars dhe u publikua të hënën, thuhet se “miratohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit “Klan Kosova”. Anulohen vendimi datës 28 korrik 2023 i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimi 14 qershor 2023 i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë”.

Në njoftim thuhet se “ky aktgjykim i zëvendëson aktet e anuluara dhe ka karakter detyrues”.

Vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova qe pasuar me reagime të ashpra në Kosovë dhe u cilësua si goditje e rëndë ndaj lirisë së medias. Por autoritetet këmbëngulën se, siç thuhet, zbatimi i ligjit kundër sipërmarrësve të fuqishëm që e shkelin atë për përftime financiare, nuk paraqet sulm ndaj lirisë së medias.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm ndaj vendimit të Gjykatës Komerciale e cila tha se palët mund të paraqesin ankesë brenda 15 ditësh./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?