Darjel Sina është gjyqtari i 12 i Gjykatës së Lartë, nga 19 që duhet të ketë gjithsej institucioni më i lartë i sistemit gjyqësor në vend. Emërimi është bërë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.
Meta nënvizon se plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm.
"Edhe pse Presidenti i Republikës, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti. Megjithatë, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Darjel Sina, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kritikat e Presidencës për Këshillin e Lartë Gjyqësor janë në vazhdimësi. Në emërimin e Gentjan Medjës më 8 mars, Meta akuzoi KLGJ se e ka zgjatur procesin për ngritjen e tij në detyrë me dy vite. Sipas Metës, kjo është një zvarritje dhe rrit rrezikun që aplikantët të ndihen në presion për të vazhduar kandidimin si anëtar të Gjykatës së Lartë, po ashtu dhe në detyrën si anëtar të Kolegjit Zgjedhor.
Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor i është përgjigjur duke nënvizuar se proceset për ngritjen në detyrë marrin kohë pasi KLGJ është kujdesur që të promovohen gjyqtarë të cilët kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.