Luan Daci

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin për ish-anëtarin e KPA Luan Daci

21 Mars 2023, 18:35| Përditesimi: 21 Mars 2023, 18:54

  • Share

TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin e formës së prerë për ish-anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e riktheu për rishqyrtim rekursin e tij, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e dënoi me 6 muaj burg të konvertuar në 1 vit shërbim prove.

Daci kishte kërkuar heqjen e dënimit për falsifikim dokumentesh e deklarim të rremë nga të tria shkallët e gjyqësorit. Daci kërkoi zhbërjen e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila nuk i pranoi rekursin, zhbërjen e vendimit të Apelit të GJKKO dhe rikthimin e çështjes për gjykim në shkallë të parë pasi sipas tij janë vendime anti kushtetuese.

Luan Daci u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën gjykatën e posaçme kundër krimit e korrupsionit dhe Apelin e GJKKO ta dënojë  me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg.

GJKKO vendosi se gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Pas dënimit nga GJKKO, me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi procedimin disiplinor për ish-anëtarin e KPA Luan Daci. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?